December 1, 2020
Portali Shprehja

Kosova përfiton 33 milionë dollarë ndihma nga USAID-i

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Drejtoresha e misionit të Agjencisë amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, (USAID) në Kosovë, Lisa Magno, nënshkruan të mërkurën një marrëveshje të re e cila i siguron Kosovës një mbështetje prej 33 milionë dollarësh.

Në një njoftim të USAID-it thuhet se kjo është pjesë e shumës së gjithëmbarshme prej 161 milionë dollarësh të zotuar nga Shtetet e Bashkuara, “për të mbështetur Kosovën në rrugëtimin e saj drejt vetqëndrueshmërisë”.

Zonja Osmani tha nëpërmjet një komunikate se kjo marrëveshje ndërlidhet me “Objektivat Zhvillimore të USAID-it për pesë vitet e ardhshme” dhe me të “synohet shërbimi më i mirë ndaj qytetarëve nga institucionet llogaridhënëse dhe efektive të qeverisjes, si dhe rritja e mundësive për pjesëmarrje gjithëpërfshirëse demokratike dhe ekonomike”.

Ajo falënderoi popullin amerikan për “përkrahjen e vazhdueshme për qytetarët e Kosovës”.

“Investimi i vazhdueshëm i SHBA-ve përmes projekteve të ndryshme është konfirmim i përkushtimit të përhershëm të institucioneve dhe popullit amerikan ndaj rritjes së mirëqenies dhe zhvillimit të përgjithshëm social e ekonomik të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj. Kjo ndihmë përqendrohet në rritjen e llogaridhënies së vendimmarrësve dhe institucioneve, si dhe në gjenerimin e mundësive demokratike dhe ekonomike për të gjithë qytetarët. Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, shpreh falënderimin e thellë për investimin e vazhdueshëm amerikan në vendin tonë”, shkroi ajo

Në një njoftim të USAID-it thuhet se “kjo marrëveshje përforcon parimin se, në fund të fundit, vetë Kosova është përgjegjëse për agjendën e saj zhvillimore, përfshirë edhe përmes prioriteteve të shënjestruara buxhetore” dhe se këto përpjekje përforcojnë përqendrimin e vazhdueshëm të qeverisë amerikane për paqe, drejtësi dhe përparim.

Që nga viti 1999, USAID-i ka investuar, në emër të popullit amerikan, më shumë se 950 milionë dollarë në rrugëtimin e Kosovës drejt vetqëndrueshmërisë./VOA

Të Ngjajshme

Glauk Konjufca infektohet me koronavirus

admin

Kushtetuesja vendos për fatin e qeverisë Hoti, seanca në transmetim të drejtpërdrejtë

admin

BE nuk hap negociatat me Shqipërinë, shtyhen edhe për Maqedoninë

admin

Leave a Comment