November 28, 2022
Portali Shprehja

Krerët e UÇK-së, dy vjet në paraburgim

 

Gazetar: Shkëlzen Aqifi

Në dy vjetorin e udhëtimit të krerëve të UÇK-së për në Hagë, fillimi i procesit gjyqësor duket akoma larg. Avokati i akredituar në Gjykatën Speciale, Artan Qerkini vlerëson se procesi në procedurën paraprake është zvarritur tej mase dhe se është përcjellë me parregullsi të shumta, ku prokuroria nuk i është përmbajtur afateve për dorëzimin e provave.

“….është me të vërtetë qëndrim që është në kundërshtim me rregullat e të menduarit logjik, po ashtu konstatimi i gjykatës se ekziston rreziku i ndikimit në prova është i paqëndrueshëm sepse të gjithë dëshmitarët janë marrë në pyetje, pastaj vet gjykata është themeluar jashtë territorit të Kosovës me të vetmin qëllim që të pengohet mundësia e ndikimit në dëshmitarë dhe këto fare nuk po merren parasysh dhe paraburgimi po vazhdohet në mënyrë automatike, për mendimin tim në kundërshtim me standardet ndërkombëtare”, tha Artan Qerkini, Avokat.

Medina Kadriu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, e cila monitorin proceset në Hagë, thotë se avokatët janë ankuar për redaktime të shumta në aktakuzë, çka sipas tyre po i pengon në përgatitjen e çështjes që ata mbrojnë.

“Ndër akuzat më të mëdha që i janë bërë kësaj prokurorie nga ana e mbrojtjes është ajo se këta të fundit nuk i kanë nxjerrë provat shfajësuese gjykatës dhe mbrojtjes, e që nëse vërtetohet se kjo është e vërtetë atëherë kemi të bëjmë me një shkelje flagrante të detyrimeve të prokurorisë”, tha Medina Kadriu, Instituti i Kosovës për Drejtësisë.

Arrestimin dhe mbajtjen në paraburgim të ish-krerëve të UÇK-së, shoqatat e dala nga lufta vazhdojnë ta konsiderojnë të padrejtë dhe si luftë ndaj vlerave të luftës për liri e pavarësi.

“Kjo është një luftë e paprecedentë ndaj vlerës së popullit dhe kombit, ndaj luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për neve është shqetësuese që dy vite, nuk e di a ka ndodhur diku, ende të mos kalojë në fazën e argumentimit për çka edhe akuzohen krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, shtoi Xhavit Jashari, Kryetar i Shoqatës së familjeve të dëshmorëve.

Deri më tani, ndaj ish-krerëve të UÇK-së janë zhvilluar 15 konferenca për ecurinë e çështjes. Aktakuza nën pretendimin për krime lufte kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, ishte konfirmuar në tetor të vitit 2020, e cila u pasua me arrestimin e tyre dhe dërgimin në Hagë./Alsat.mk

.

Të Ngjajshme

Transportuesit privat do të bllokojnë nesër udhëkryqin te “Mavrovasja” me 30 autobusë

Bie bora e parë në Strazhë

admin

Shumë zanate janë drejt zhdukjes

Leave a Comment