February 1, 2023
Portali Shprehja

Krishtlindja ortodokse: Ja pse kremtohet më 7 janar

7 Janari është dita e Krishtlindjes për Kishat katolike lindore dhe Kishat ortodokse, që ndjekin kalendarin julian. Ky ndryshim nisi që kur Kisha ortodokse në Evropën lindore nuk e pranoi reformën e kalendarit gregorian të vitit 1582. Kështu dita tradicionale e 25 dhjetorit u shty dy javë më pas.

Ku festohet?
Festohet në Lindjen e Mesme, por edhe në kishën katolike greko-ukrainase. E festojnë edhe të krishterët ortodoksë, që jetojnë në Rusi, Bjellorusi, Serbi, Kroaci, Maqedoni e të tjerë. E veçantë situata në Egjipt, ku katolikët e Kairos e të Aleksandrisë, me provincat përkatëse, e kremtojnë lindjen e Krishtit më 25 dhjetor, ndërsa ata që jetojnë në Egjiptin e Epërm, e kremtojnë më 7 janar, njëheresh me ortodoksët.

Pse u zgjodh 7 janari?
Duhet pasur parasysh se në vitin 1582 Papa Gregori XIII vendosi ta modifikonte kalendarin e vjetër, vepër e Jul Çezarit, që u quajt “julian” pikërisht për nder të Perandorit. Në të u shlyen ditët ndërmjet 5 e 14 tetorit 1582 e kështu 25 dhjetori ynë u bë 7 janar. Disa ortodoksë e pranuan ndryshimin; Greqia, për shembull, e kremton Krishtlindjen në të njëtën datë me katoklikët.

Data 7 janar nuk ka të bëjë me “skizmën”, siç besohet akoma nga disa, por thjesht me qellime kalendarike. Shumica e kishave ortodokse në mbarë botën nuk e adoptuan kalendarin gregorian, propozuar nga Papa Gregori në vitin 1582, por vijuan të përdorin Kalendarin Julian, krijuar nën Jul Çezarin. Sipas shpjegimit të Arkimandritit Christopher Calin, dekan i katedrales ortodokse ruse, edhe ortodoksët e kremtojnë Krishtlindjen më 25 dhjetor, por sipas kalendarit që përdorim bie më 7 janarin “tonë” (prandaj edhe Dëftimi i Krishtit për ta është Nata e Krishtlindjes).

Si kremtohet?
Sipas traditës, Krishtlindja ortodokse paraprihet nga një periudhë agjërimi e lutjeje prej 40 ditësh. Nuk është agjërim i plotë: hahet peshk të mërkurën e të premten. Për Krishtlindje ofrohen qirinj e kokrra gruri në bulim. Natën e festës agjërimi është më i rreptë: hahen vetëm kokrra gruri e fruta.

Agjërimi përfundon zakonisht në Kishë, me meshën solemne të mesnatës, Sapo përfundon lutja, besimtarët këndojnë himnin e Krishtlindjes e, në qendër të Kishës, sillet ikona e festës: një qiri i madh, simbol i Kometës. Në këtë çast agjërimi merr fund e besimtarët marrin bukën e bekuar.

Në ndryshim nga Kisha katolike, në viset ortodokse nuk bëhet Shpella e Betlehemit, por vetëm Bredhi i Krishtlindjes. Traditat e tjera ndryshojnë sipas vendeve. Në Greqi fëmijët nuk i marrin dhuratat nga Plaku i Vitit të Ri, por nga Shën Bazili. Në Bullgari, festa kremtohet rreth buzmit, si ndër ne. Shkëndijat simbolizojnë begatinë e vitit të ri. Në përfundim të drekës, çohet sofra e ushqimet e mbetura ruhen për të vdekurit e dashur, duke i çuar, më pas, mbi varret e tyre. Në Rusi, gjatë darkës hahet mjalt e hudhra, simbol i ëmbëlsisë, por edhe i idhtësisë së jetës.

Kalendari gregorian u vendos në Shqipëri në dhjetor te vitit 1912. Kisha ortodokse nuk e përdor Kalendarin gregorian për llogaritjen e Pashkëve, prandaj Pashkët katolike dhe ato ortodokse nuk kremtohen në të njëjtën ditë./Kosovapress

.

Të Ngjajshme

Nëse doni veprim maksimal shërues, atëherë në këtë mënyrë duhet ta konsumoni hudhrën!?

Hulumtimet e shumta nuk kanë arritur në përfundime të sakta se deri në çfarë mase çajrat mund të shërojnë gripin dhe të ftohtin

Taravari: për ASH-në mbetet prioritet lufta kundër korrupsionit dhe funksionimi i shtetit të së drejtës

Leave a Comment