Çiklisti belg Remco Evenepoel, që kryeson Xhiron e Italisë, ka dalë pozitiv me “Covid-19” dhe është detyruar të braktisë garën. Lajmi i daljes pozitiv ka ardhur të dielën në mbrëmje, duke detyruar 23-vjeçarin të ngrejë “flamurin e bardhë” dhe të largohet me lot në sy nga një turne që po e dominonte.
“Zemra më ëstë ndarë në dysh nga ky lajm dhe me trishtim të madh jam i detyruar të lë në mes Xhiron e Italisë. Një test rutinë anti-Covid prishi gjithçka. Përvoja ime deri më tani ka qenë e shkëlqyer dhe mezi pres të rikthehem sërish në pistë vitin tjetër këtu”, tha Evenepoel.
Tani rinis gjithçka nga e para për sa i përket liderit të ri të këtij turneu, ndërkohë që kreun e merr Geraint Tomas. Gjithsesi, favorit për ta fituar këtë turne pas tërheqjes së Evenepoel (kishte fituar dy etapa) është slloveni Primozh Rogliç.
.