December 8, 2022
Portali Shprehja

Kurti: Vuçiq por vepron në koordinim me Rusinë dhe Kinën

Gazetar: Shkëlzen Aqifi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ditëve të fundit janë intensifikuar kërcënimet e Serbisë dhe të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për destabilizmin e situatës në veri të vendit. Kjo, sipas Kurtit, po ndodh për shkak se Vuçiqi ka refuzuar planin franko-gjerman, dhe kështu po i përdorë, pjesëtarët e strukturave ilegale në veri, për ta destabilizuar.

“…për shkak të refuzimit që ia kanë bërë Parisit dhe Berlinit, dhe për këtë po i përdorin ata që ende vazhdojnë t’i dëgjojnë, pra pjesëtarë të strukturave ilegale. Serbia është e interesuar për ta sabotuar dialogun dhe çfarëdo marrëveshje. Beogradi e ka refuzuar planin franko-gjerman dhe tash po bën drama për ta maskuar refuzimin”, tha Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Kurti tha se Vuçiqi po koordinohet me Rusinë dhe Kinën, dhe po zhgënjen BE-në dhe SHBA-në. Edhe kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se Serbia po vepron në këtë mënyrë për të refuzuar propozimin franko-gjerman.

“Nëse e kuptoni substancën e projektit franko-gjerman është për të respektuar në mënyrë reciproke sovranitetin mes dy shteteve. Tash unë mendoj se kjo është arsyeja kryesore pse është refuzuar prej Serbisë dhe arsyeja që filloi plani b i Serbisë në zhvillimet që po i shihni në veri të Kosovës”, u shpreh Glauk Konjufca, Kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Lidhur me deponimin e dorëheqjeve të dhjetë deputetëve të Listës serbe, Konjufca tha se vendi nuk është në krizë kushtetuese.

“Pse në Kuvend përkohësisht do të jetë 110 deputetë dhe nuk do të jetë 120 deputetë, kjo nuk është aspak antikushtetuese…. Ne nuk jemi në krizë kushtetuese pas kësaj dorëheqje, por jemi në procedura normale të zëvendësimit të tyre”, shtoi Glauk Konjufca, Kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram ka shkruar se populli serb në Kosovë nuk do të mbetet pa mbështetjen e Serbisë sepse është e rëndësishme që ata të jenë të sigurt.

“Pa lëvizje të nxituara, gjithmonë me popullin tonë për të ardhme më të mirë për fëmijët tanë. Kjo është politika që ne ndjekim dhe që e zbatojmë çdo ditë. Ne vazhdojmë të mbrojmë interesat tona kombëtare, dhe në të njëjtën kohë luftojmë për çdo faktor që mund të sjellë përfitime, të na bëjë më të fortë dhe më të mirë”, shkroi Vuçiq në llogarinë e tij në Instagram.

Sekretarit i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg, tha se ka folur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq . “U kërkova të dyve që të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të shkaktojë përshkallëzim. Dialogu është e vetmja rrugë përpara”, ka shkruar Stoltenberg në Twitter. Ai tha se NATO dhe KFOR-i mbeten vigjilent për situatën atje.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë përsëritur thirrjet për ruajtjen e qetësisë në Kosovë, si dhe që të shmanget eskalimi i tensioneve të krijuara. Largimet e serbëve nga institucionet e Kosovës ndodhën pasi Qeveria e Kosovës më 1 nëntor nisi zbatimin e planit prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia në ato RKS – Republika e Kosovës.

 

.

Të Ngjajshme

Teknika kineze e prodhimit të çajit në listën e thesareve jomateriale të UNESCO-s

Stojanovski: Buxheti 2023 nuk iu përgjigjet nevojave të qytetarëve

Katër të lënduar në një aksident trafiku në autostradën Shkup-Tetovë

admin

Leave a Comment