Që nga fillimi i agresionit rus, Ukraina ka marrë miliarda euro nga aleatët e saj në formën e ndihmës financiare, humanitare ose ushtarake.
Të dhënat nga Instituti i Kielit për Ekonominë Botërore (IfW Kiel) tregojnë se nga 24 janari deri më 20 nëntor 2022, Ukraina ka marrë ndihmë në vlerë prej 108.1 miliardë euro.
Pjesa më e madhe i takon kategorisë së ndihmës financiare 53,38 miliardë, e ndjekur nga ndihma ushtarake – 37,8 miliardë, dhe ndihma humanitare – 16,7 miliardë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin financuesi më i madh i rezistencës ukrainase me një total prej 47.8 miliardë eurosh, nga të cilat 22.8 miliardë i referohen ndihmës ushtarake.
Bashkimi Evropian është në vendin e dytë me gati 30 miliardë euro, nga të cilat pjesa dërrmuese (28.3 miliardë euro) ka qenë mbështetje financiare, por nuk ka ofruar ndihmë në pajisje ushtarake.
Britania e Madhe kontribuoi gjithsej 4.1 miliardë euro, Gjermania me 2.3 miliardë, Kanadaja me 1.3 miliardë dhe Polonia me 1.8 miliardë euro.
Sidoqoftë, tabloja e vërtetë e investimeve merret kur merret parasysh madhësia e ekonomisë së vendit, d.m.th. – sa përqindje e Bruto Prodhimit Vendor është ndarë për të ndihmuar Ukrainën.
Vendet baltike dhe ato në kufi me zonën e luftës kanë ndarë më shumë, ndoshta siç pritej. Me 335 milionë euro, Estonia investoi më shumë se një për qind të PBB-së kombëtare, Letonia 0,93 për qind, Polonia 0,5 për qind dhe Lituania 0,46 për qind.
Dy vende nga rajoni u përfshinë gjithashtu në raportin e IfW Kiel, përkatësisht Sllovenia dhe Kroacia. Sllovenia ka dhënë ndihma në vlerë prej 60,9 milionë euro, prej të cilave 58,8 milionë i takojnë ndihmës ushtarake. Kroacia ka dhënë ndihma në vlerë prej 22.9 milionë euro, po ashtu më së shumti shkon për ndihma ushtarake – 16.5 milionë, ndërsa pjesa tjetër i takon ndihmës humanitare.(INA)