August 17, 2022
Portali Shprehja

Lufta kundër korrupsionit, prioritet i ambasadores së re të SHBA-së në Shkup

Lufta kundër korrupsionit në vend do të jetë një ndër prioritetet e ambasadores së re amerikane në Shkup, Angella Prajs Ageler. Në seancën para senatorëve amerikan, ajo tha se do të ndihmojë në zhvillimin e një strategjie kombëtare përmes së cilës do të kërkohet përgjegjësi nga, siç thotë ajo, “aktorët” e korruptuar në vend.

“Nëse konfirmohem, unë do t’i inkurajoj reformat në drejtësi dhe do t’u bëj thirrje institucioneve të Maqedonisë së Veriut që të promovojnë transparencë në hetimin e akuzave për keqpërdorim dhe të përballen me vendosmëri me korrupsionin për ta përforcuar besimin e opinionit. Do të punoj me partnerë ndërinstitucional për të ndihmuar Maqedoninë e Veriut të zhvillojë strategji nacionale e në mënyrë efektive do të kërkojë përgjegjës nga aktorët e korruptuar”, deklaroi Angella Prajs Ageler, kandidate për Ambasadore të SHBA.

Mesazhi nga Ageler, e cila është emëruar nga presidenti Xho Bajden, u mirëprit nga autoritetet vendase.

“Për mua, por edhe për Qeverinë, ky mesazh i ambasadores së re është i një rëndësie të madhe. Në përgjithësi, të gjitha institucionet për të cilat përfaqësojnë në mënyrë të pavarur një pjesë të autoriteteve legjislative, ekzekutive apo gjyqësore, Prokuroria dhe Gjyqësori, jam e sigurt se do të jenë në fokus të aktiviteteve të ambasadores së re”, u shpreh Sllavica Gërkovska – Zëvendëskryeministre për Politika të Qeverisjes së Mirë.

Ambasadorja e re amerikane paralajmëroi gjithashtu se do të mbështesë fuqishëm procesin e integrimeve evropiane të Maqedonisë së Veriut, por edhe do të avancojë dialogun strategjik tashmë të krijuar mes dy vendeve. Pikërisht përmes dialogut strategjik ndërmjet Uashingtonit dhe Shkupit që filloi në fillim të këtij muaji, këtë javë Departamenti i Shtetit vendosi të ndajë mbi katër milionë dollarë për forcimin e sundimit të ligjit në Maqedoni./Alsat.mk

Të Ngjajshme

Bekteshi: Do të ketë kursim, por jo reduktime të energjisë elektrike

Suspendohet prokurorja Vilma Ruskoska, shkaku i bastisjes në Policinë Financiare

Boshatiset plazhi i Shëngjinit, shiu largon pushuesit nga bregdeti

Leave a Comment