February 1, 2023
Portali Shprehja

Maqedonia e Veriut dhe Kosova pritet të kenë rritje më të lartë ekonomike se viti paraprak

Banka Botërore në raportin e saj të fundit mbi Perspektivat Ekonomike Globale ka bërë të ditur se një ngadalësim i ashpër dhe afatgjatë pritet t’i godasë vendet në zhvillim derisa rritja ekonomike globale për vitin 2023 do të ngadalësohet në 1,7 për qind nga 3 për qind sa është pritur.

Sipas kësaj, për dallim nga vendet e tjera të rajonit, Maqedonia e Veriut dhe Kosova pritet të kenë rritje më të lartë ekonomike se viti paraprak.

Siç njofton Banka Botërore – Zyra në Kosovë, rritja globale po ngadalësohet ndjeshëm përballë inflacionit të ngritur, interesave të larta, rënies së investimeve dhe çrregullimeve që ka shkaktuar pushtimi i Ukrainës nga Rusia, sipas raportit.

“Për shkak të kushteve ekonomike të brishta, çdo zhvillim i ri i pafavorshëm – siç është inflacioni më i lartë se sa që është pritur, ngritjet e papritura të interesave për ta frenuar atë, rishfaqja e pandemisë COVID-19 ose përshkallëzimi i tensioneve gjeopolitike – mund ta shtyjë ekonominë globale në recesion. Kjo do ta shënonte herën e parë qe më shumë se 80 vjet që dy recesione globale ndodhin brenda të njëjtës dekadë”, thuhet në njoftim.

Sipas të dhënave të raportit të BB-së në vitin 2022 Kosova ka shënuar rritje ekonomike prej 3,1 për qind, ndërsa projeksioni për vitin 2023 dhe 2024 është një rritje prej 3,7 dhe 4,2 për qind.

Vitin e kaluar Shqipëria ka pasur një rritje ekonomike prej 3,5 për qind dhe parashikimet janë 2,2 për qind për këtë vit dhe 3,4 për qind për vitin e ardhshëm. Ndërkaq, Maqedonia e Veriut gjatë vitit të kaluar kishte një rritje prej 2,1 për qind, ndërsa parashikimet për vitin 2023 dhe 2024 janë 2,4 dhe 2,7 për qind

Nga vendet e tjera të rajonit, Mali i Zi ka pasur rritje prej 5,9 për qind, ndërsa projeksioni për këtë dhe vitin e ardhshëm është një rritje prej 3,4 dhe 3,1 për qind. Në Bosnje dhe Hercegovinë, rritja paraprake në vitin 2022 ishte 4 për qind, ndërsa projeksioni për vitin 2023 është rritje prej 2,5 dhe 3 për qind.

Serbia vitin e kaluar kishte një rritje prej 2,5 për qind, ndërsa parashikimet për këtë dhe vitin e ardhshëm janë rritje prej 2,3 dhe 3 për qind.

.

Të Ngjajshme

Flori Mumajesi po i rikthehet muzikës, këtë e bën të ditur shoku i tij

Netanyahu: Prioritet i Izraelit, normalizimi i lidhjeve me vendet arabe përpara paqes me palestinezët

Boshkov: Infrastruktura e fqinjëve shumë më e mirë se e jona

Leave a Comment