September 27, 2020
Portali Shprehja

Maqedonia e Veriut pret nisjen e negociatave me BE-në në dhjetor të këtij viti

Zv/kryeministri për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov pret që negociatat për anëtarësim në BE të fillojnë në dhjetor andaj u zotua se do ta reformojë Sekretariatin në atë mënyrë që të jetë shtytës i të gjitha reformave në vend. Paralajmëroi edhe freskim të strukturës negociuese, në përputhje me metodologjinë e re të zgjerimit të BE-së.

Mendoj se është relativisht herët të flitet për emra. Struktura e ekipeve negociuese është e mirë, por ndërkohë kemi metodologji të re dhe ka arsye që edhe një herë t’i rishqyrtojmë ekipet, strukturën. Do të marrim vendime në kohë. Mendoj se në fokus si hap i parë konkret duhet të jetë ta mbajmë konferencën e parë ndër-qeveritare me BE-në, që shënon fillimin e negociatave – deklaroi Nikolla Dimitrov, Zv/kryeministër për Çështje Evropiane.

Si Dimitrov ashtu edhe Ministri i Jashtëm, Bujar Osmani u shprehën të bindur se edhe përskaj dallimeve për historinë dhe gjuhën maqedonase, Bullgaria nuk do ta bllokojë integrimin e vendit në BE. Kërkesës së djeshme të kryeministrit, Bojko Borisov, Osmani iu kundërpërgjigj me optimizmin se dallimet do të tejkalohen përmes intensifikimit të komunikimit dypalësh, në korniza të marrëveshjes ekzistuese mes dy shteteve.

Të gjithë ne i tregojmë qëndrimet tona, pala bullgare pozicionin e saj, ne tonën por prandaj kemi marrëveshje që jep kornizë për mënyrën se si të tejkalohen dallimet. Kemi komision, që duhet të punojë në bazë parimore, të gjenden zgjidhje larg kapjes nga politika, bazuar në faktet shkencore. Ka edhe kornizë se si të komunikojmë politikisht në bazë ditore, që t’i tejkalojmë dallimet dhe vlerësoj se në kornizë të marrëveshjes do të mundohemi të gjejmë zgjidhje – tha Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm.

Osmani paralajmëroi rishqyrtim të Ligjit të Punëve të Jashtme, të propozuar nga paraardhësi i tij dhe plotësim të ambasadave vakante në mënyrë ekonomikisht racionale dhe në përputhje me interesat strategjike të vendit. Gjatë pranim dorëzimit të posteve, Osmani u zotua se do të krijojë kushte për respektimin e dygjuhësisë edhe në Ministrinë e Jashtme, dikaster ky ku deri më tani thuajse aspak nuk është respektuar shqipja. Ndërsa Dimitrov u arsyetua se për këtë çështje nuk ka pasur resurse të mjaftueshme, ndërsa tha se do ta respektojë praktikën e deritanishme dygjuhësore në Sekretariat.

Anesa Salihu

Të Ngjajshme

“Megjashi”: 42 për qind e fëmijëve ndjehen të diskriminuar

admin

Mësimi online nuk do të nisë në shumë shkolla, shkak mungesa e pajisjeve

admin

Kumanovë, mjeku sulmon mjekun

admin

Leave a Comment