Ylli i PSG-së e ka nisur këtë vit me një ritëm spektakolar shënimi, me më shumë se një gol mesatarisht për ndeshje. Disa të dhëna që e vendosin atë mbi Erling Haaland, i cili nuk po kalon momentin më të mirë me Manchester City, pasi shënoi vetëm dy gola në muajin shkurt.
4 gola më shumë se Haaland, me më pak ndeshje
Në vitin 2023, Kylian Mbappé ka luajtur gjithsej 9 ndeshje me klubin e tij, në të gjitha garat; 4 ndeshje më pak se Erling Haaland. Megjithatë, kjo nuk e ka penguar francezin që të jetë përpara norvegjezit në listën e golashënuesve për këtë vit kalendarik.
Sulmuesi i PSG-së ka regjistruar 10 gola në ato 9 ndeshje dhe mesatarja e tij është 1 gol çdo 63 minuta. Ndërsa ‘9’ i Manchester City e ka këtë mesatare më shumë se dyfishi. Atij i duhen 170 minuta për të shënuar një gol, pasi ka realizuar 6 gola në 13 ndeshje.
Më vendimtar në minuta se norvegjezi
Kontributi sulmues i Mbappe për PSG-në është i barabartë me atë të Erling Haaland deri më tani, këtë sezon. Megjithatë, lojtarit francez i janë dashur më pak minuta se gjigantit norvegjez për të arritur të njëjtin rekord.
Kylian Mbappé ka kontribuar në 38 gola për PSG në 30 ndeshjet që ka luajtur, në të gjitha garat, sipas portalit “Transfermarkt”. Përveç kësaj, ai e ka vendosur veten si golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave të klubit parizien dhe është golashënuesi i dytë më i mirë këtë sezon në Ligën e Kampionëve.
Këto janë numrat e Mbappé në çdo garë, ku ka marrë pjesë me PSG këtë sezon:
Ligue 1: 18 gola dhe 4 asiste në 22 ndeshje të luajtura
Champions League: 7 gola dhe 3 asiste në 7 ndeshje të luajtura
Kupa e Francës: 5 gola dhe 1 asist në 1 ndeshje të luajtur
Nga ana tjetër, Haaland ka marrë pjesë në 38 gola të Manchester City, por në rastin e tij këtë shifër e ka arritur pasi ka luajtur 34 ndeshje, katër më shumë se Mbappe. Më poshtë ju tregojmë statistikat e Haaland në çdo kompeticion me Manchester City, këtë sezon:
Premier League: 27 gola dhe 5 asiste në 25 ndeshje të luajtura
Champions League: 5 gola në 5 ndeshje të luajtura
EFL Cup: 1 gol në 2 ndeshje të luajtura
FA Cup: 1 ndeshje e luajtur
Community Shield: 1 ndeshje e luajtur
10 milionë euro diferencë
Kylian Mbappé gjithashtu e kalon sulmuesin 22-vjeçar norvegjez për nga vlera e tregut, me një diferencë prej 10 milionë eurosh mes të dyve. Edhe pse çmimi i Haaland është rritur më shumë këtë sezon, ai nuk e arrin dot kampionin e botës më 2018.
Vlerësimi i francezit momentalisht është 180 milionë euro nga “Transfermarkt”. Në rastin e Haaland, që nga shkuarja e tij te Manchester City i Pep Guardiolës, vlera e tregut ka shkuar nga 150 në 170 milionë euro.
.