Gazetar: Ile Petreski
Publikimi i emrave të kompanive, ndalimi për kryerjen e veprimtarisë apo mbyllja e plotë e kompanisë, janë vetëm disa nga gjobat e reja më të rënda që po përgatiten si zgjidhje ligjore që duhet të gjendet në seancën e qeverisë javën e ardhshme, shkruan Alsat.
Ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi sot nuk deshi të japë detaje rreth propozim- ligjit, kështu që, kabineti i tij ka dërguar vetëm deklaratë me shkrim ku thuhet se me ligjin e ri do të dihet saktë se cilët zinxhirë të shitoreve punojnë me nder dhe cilët kanë bërë keqpërdorime.
“Sipas zgjidhjes aktuale ligjore, gjoba mund të arrijë në 5000 euro dhe tash e tutje gjobat nuk do të jenë vetëm në të holla. Ka kompani që fitojnë deri në 80 % për produkte të caktuara dhe mund të paguajnë gjobë dhe vazhdojnë të njëjtën praktikë të pandershme. Tani, me zgjidhjen e re, ata do të përballen me lloj tjetër të dënimit”, thonë nga Ministria e ekonomisë.
Jo vetëm për produktet ushqimore bazë, qytetarët ankohen se pothuajse në të gjitha tregjet çmimet e produkteve janë shumë të larta.
“Gjithçka është shtrenjtë, buka, vaji, qumështi”, thotë një qytetar.
“Duhet të merren masa, të mbrohen qytetarët. Akcizat për karburantet dhe tarifat e ushqimit duhet të ulen”, shprehet një qytetar tjetër.
Gjatë ditës së djeshme, Inspektorati i tregut doli në terren për të kontrolluar nëse janë ulur çmimet e disa produkteve ushqimore bazë.
“Pas reagimeve të ashpra në opinion se disa prej produkteve ushqimore kanë çmime të reja më të larta nga fillimi i këtij muaji, kur praktikisht nuk vlen masa për ngrirjen e marzhave, inspektorët dolën në terren. Në lidhje me çmimet, janë zbuluar shumë keqpërdorime nga tregtarët dhe inspektorët kanë shqiptuar rreth 30 gjoba”, raporton gazetari i Alsat, Ile Petreski.
Sipas informacioneve zyrtare, shporta konsumatore për një vit është rritur për mbi 4000 denarë dhe nga fillimi i vitit shpenzimet për blerjen e produkteve dhe shërbimeve bazë ushqimore janë shtrenjtuar për 3000 denarë./ Alsat.mk
.