July 27, 2021
Portali Shprehja

Memli Krasniqi zgjidhet kryetar i ri i PDK-së – Iliria News Agency

Memli Krasniqi është zgjedhur kryetar i ri i Partisë Demokratike të Kosovës. Krasniqi u zgjodh në këtë pozitë me shumicë votash të delegatëve pjesëmarrës në Konventën zgjedhore të partisë.

Në votim morën pjesë 476 delegatë. Vetëm 7 vota ishin kundër.

Në deklarimin e tij të parë pas marrjes së pozitës së kryetarit, Krasniqi tha se do të çojë përpara rrugën e trasuar nga ish-kryetarët Hashim Thaçi e Kadri Veseli në krye të PDK-së.

Krasniqi tha se do të bashkëpunojë me secilin anëtarë dhe qytetarë që dëshiron të bashkohet PDK-së.

“Gjatë rrugës për rikthimin e PDK-së aty ku e ka vendin në udhëheqjen e shtetit padyshim se do të kemi shumë sfida. Pa dyshim se do të kemi shumë pengesa dhe jam absolutisht i sigurt se nuk do të jetë fare e lehtë por unë e njoh shpirtin e partisë sonë të përbashkët. E njoh vullnetin që buron nga secili prej jush këtu dhe buron nga ata dhjetëra-mijëra anëtarë të partisë sonë. Duke u bazuar në këtë energji të pashtershme unë jam i sigurt se bashkë do t’ia dalim”, deklaroi Krasniqi.

Gjatë Konventës, Krasniqi prezantoi platformën që synon ta zbatojë gjatë mandatit të tij si kryetar i PDK-së. Në prezantimin e platformës, Krasniqi ka thënë se synon që PDK-në ta kthejë në vendin e parë dhe që të qeverisë me vendin.

“Ne sot jemi në opozitë. Kanë qenë edhe gabimet tona që i kanë kontribuuar kësaj situate. Ndoshta s’kemi mundur ta lexojmë krejt saktë disponimin e votuesve, prandaj edhe në dy palë zgjedhjet e fundit nuk kemi marrë mjaftueshëm mbështetjen e tyre. Reflektimi është i domosdoshëm. Nuk mund të vazhdojmë edhe më tutje njëjtë. Në këtë pikë, besoj se pajtohemi të gjithë. Kështu si jemi sot, nuk mjafton për t’u rikthyer. Por, ne qëllimin e kemi për t’u rikthyer”, deklaroi Krasniqi.

Krasniqi ka thënë se beteja kryesore e PDK-së është në Kuvendin e Kosovës duke ftuar deputetët e këtij subjekti politik që të angazhohen sa më shumë në punën e tyre në këtë institucion.

Ai ka thënë se do të formojë një kryesi të re me të rinj dhe të reja si dhe me njerëz që janë rritur në Partinë Demokratike të Kosovës. Mes tjerash, Krasniqi ka paralajmëruar formimin e një kabineti për Qeverisje të Mirë, me qëllim të formësimit të vizionit për një qeverisje të ardhshme.

Krasniqi ka thënë se PDK-ja duhet që ta kthejë mbështetjen e rinisë.

Memli Krasniqi ishte kandidati i vetëm në këtë garë pasi asnjë anëtar tjetër i PDK-së nuk paraqiti kandidaturën për kryetar të këtij subjekti politik.

Në garë për kryetar të PDK-së pritej që të ishte edhe Enver Hoxhaj, i cili për tetë muaj ishte ushtrues i detyrës së kryetarit të këtij subjekti politik.

Mirëpo pak kohë para përfundimit të afatit për paraqitjen e kandidaturave, Hoxhaj njoftoi se nuk do t’i hynte garës për kryetar.

Në hapje të Konventës, Hoxhaj, tha se shumëkush ka pritur se ai do të garonte për të parin e PDK-së, porse sipas tij, PDK-ja ka nevojë për një reformim dhe udhëheqësi të re./REL

Të Ngjajshme

NJË PERSONI NË AEROPORTIN E PRISHTINËS I GJENDET NJË ELEKTROSHOK – Iliria News Agency

admin

Bllokohet faqja në internet e udhëheqësit të opozitës ruse Aleksei Navalni – Iliria News Agency

admin

Greqia parashikon valën e katërt të COVID-19, brenda korrikut fillon vaksinimin për fëmijët – Iliria News Agency

admin

Leave a Comment