Mitropoliti rus Antoni, përgjegjës për marrëdhëniet diplomatike në Kishën Ortodokse Ruse, ka mbërritur sot në Shkup për një vizitë në KOM. Pas takimit me kreun e Kishës, Antoni u shpreh shkurtimisht se erdhi në vend për të uruar personalisht kreun për festën e emrit dhe për të përcjellë urimet nga Patriarku rus Kirili. Në mbledhjen në Sinod, mitropoliti shoqërohej nga ambasadori i Federatës Ruse në vend, Sergej Bazdnikin. Kjo është vizita e parë e një kleriku të lartë rus që kur Kisha Ortodokse Ruse e njohu KOM-in si kishë autoqefale. Më shumë detaje nga takimi nuk janë bërë të ditura. Mitropoliti Antoni ka vizituar së fundmi Serbinë dhe Bullgarinë. Një pjesë e mediave shkruajnë se ai ka ardhur në Shkup për të bindur peshkopët maqedonas që të mos negociojnë me Patriarkanën Ekumenike në Stamboll dhe të jenë në linjë me KOR. /Alsat.mk
.