Gazetar: Lluka Andreev
Maqedonia dëbon tre diplomatë rusë nga vendi. Arsyet specifike mbeten të panjohura. Jozyrtarisht, bëhet fjalë për këshilltarë politikë në ambasadën ruse në vend, shkruan Alsat.
Ata u shpallën persona të padëshirueshëm katër ditë më parë, por Ministria e Punëve të Jashtme vendosi të informojë sot, pasi Moska e para informoi për rastin.
“Më 12 shtator, Ambasadori i Federatës Ruse u thirr në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe iu dorëzua notë diplomatike, me të cilën tre diplomatë në Ambasadën e Federatës Ruse në Shkup u shpallën të padëshirueshëm në vend, përkatësisht persona non grata. Një vendim i tillë u mor pas marrjes së informacionit nga autoritetet për aktivitete në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike”, thonë nga MPJ.
Për dëbimin e diplomatëve rusë e para informoi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zaharova. Ajo tha se vendimi nuk do të kalojë pa përgjigje, për shkak të asaj që ajo e quajti “sulm të papërgjegjshëm dhe armiqësor nga autoritetet në Maqedoninë e Veriut”.
“Vëmë re se autoritetet e Maqedonisë së Veriut vazhdojnë në rrugën e përkeqësimit të konfrontimit, vazhdojnë drejt një bllokimi pavarësisht krizës aktuale në marrëdhëniet dypalëshe. Ne e vlerësojmë vendimin për dëbimin e kolegëve tanë, si një dëshirë të papërshtatshme të udhëheqjes së këtij vendi për t ‘i paraqitur edhe një herë rojeve perëndimore rëndësinë e saj në luftën kundër kërcënimit të pretenduar rus”, ka thënë Maria Zaharova, Zëdhënëse e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë.
Kësaj radhe Ministria e Punëve të Jashtme vendosi të mos zbulojë detaje për dëbimin e diplomatëve rus. Vitin e kaluar, u dëbuan pesë diplomatë rusë, ndërsa edhe atëherë Ministria e Jashtme theksoi se vendimi u mor për shkak të shkeljes së Konventës së Vjenës për Sjelljen e Diplomatëve. Megjithatë, më pas u sqarua se vendimi u mor në bazë të informacionit nga shërbimet e inteligjencës së sigurisë./ Alsat.mk
.