September 25, 2022
Portali Shprehja

Mungesa e transportit publik edhe sivjet problem për nxënësit e Vizbegut

Gazetare: Melihate Rustemi

Nxënësit e Vizbegut edhe këtë vit shkollor e nisën pa transport të organizuar.

Për të mbërritur në shkollat “Penko”, “7 Marsi”, “Ismail Qemali” dhe të tjera të komunës Butel dhe të Çairit, nxënësit detyrohen të bëjnë rrugë në këmbë deri në 4 kilometra ose të paguajnë shërbimin taksi, 150 denarë vetëm një drejtim, shkruan Alsat.

Për shkak të mungesës së transportit, nxënësit shpesh herë humbin orën e parë të mësimit.

“Jemi të detyruar që të vijmë në këmbë sepse nuk ka autobus, ndërsa në shtëpi shkojmë me autobusin numër 9, me gjet diçka që mos me mbet. Mësimi fillon në 7 e 30, por ne duhet të jemi në 7 e 20 se bëhemi rresht. Ndonjëherë vonohemi, na e mbyllin derën e shkollës, nuk mund të hymë orën e parë por na lejojnë në orën e dytë”, tha një nxënëse.

“Shumë keq pa autobus, po mundohemi të vijmë të gjithë bashkë por shumë keq, s’ka zgjidhje. Në mëngjes a ka autobus që vjen edhe për udhëtarët e tjerë? Është numri 18 por ndonjëherë vjen ndonjëherë jo. Zgjohemi në ora 6, vishemi, nëse nuk vjen autobusi detyrohemi që të shkojmë në këmbë”, u shpreh një nxënës tjetër.

“Çdo vjet na përsëritet i njëjti problem, po lodhemi në këmbë ditë për ditë, nuk është në rregull. Edhe ne jemi nxënës si nxënësit e tjerë, dëshirojmë të kemi transport për në shkollë. Sot kam ardhur me taksi deri te stacioni i autobusit me numër 9 pastaj me autobus. Sa ju merr taksi deri këtu? Ndonjëherë 100-150. Shumë harxhime se duhet me marr para edhe për ushqim”, theksoi një nxënës.

Prindërit e fëmijëve thanë se tashmë janë lodhur nga kjo problematikë. Në rast se komuna nuk do të ofrojë zgjidhje prindërit do të hidhen në protestë.

“Çdo vit ne duhet prapë të bëjmë kërkesë. Ata e dinë se viti shkollor ka filluar. Nuk marrim përgjigje atëherë ne prapë duhet me u aktivizu sikur çdo vjet, me protesta, me bllokime të rrugëve. Do to mblidhemi  sërish dhe do të marrim një vendim se me të vërtet u lodhëm më, çdo vjet të njëjtin problem”, tha Luan Baftjari, Këshilli i Prindërve.

Nga komuna e Butelit për momentin nuk dhanë asnjë sqarim për mungesën e transportit të organizuar për nxënësit e Vizbegut. Në nëntor të vitit të kaluar, për një pjesë të vogël të nxënësve të Vizbegut përkohësisht u sigurua transport publik, pas protestave disa ditore të banorëve të kësaj lagjeje.

Për shkak të mungesës së shkollës fillore në Vizbeg, mbi 1400 nxënës të kësaj lagjeje janë të detyruar të mësojnë në shkolla të ndryshme të tre komunave të Shkupit:  Butel, Çair dhe Shuto Orizarë./ Alsat.mk

.

Të Ngjajshme

A shkaktojnë ushqimet akne dhe cilat specifikisht

Scholz kërkon partnerë energjie në vendet e Gjirit

Përmbytjet nga shiu kthejnë rrugët e Indisë në lumenjë

Leave a Comment