Napoli ka marrë një fitore të madhe bindëse kundër Juventus-it në javën e 18-të të Serisë A. Axurrët kanë mundur 5-1 bardhezinjtë dhe kanë hedhur një hap tjetër drejt titullit.
Protagonistët e super ndeshjes së luajtur në stadiumin Diego Armando Maradona kanë qenë Kvaratskhelia dhe Osimhen. I pari ka realizuar 1 gola dhe ka dhënë dy asiste, ndërsa i dyti ka realizuar dy gola dhe ka dhënë një asist. Goli i nderit për bardhezinjtë është shënuar nga Di Maria.
Ndeshja
Sfida në stadiumin Maradona është zhbllokuar pas vetëm 14 minuta lojë. Kanë qenë vendasit ata që kanë goditur të parët dhe që kanë kaluar në avantazh.
Pas një kroasimi të futur në zonë nga krahu i djathtë, Kvaratskhelia ka goditur me njëherë fluturimthi drejt portës, por gjuajtja e tij është ndalur nga një super pritje e Szczesny.
Por ky i fundit nuk ka mundur të bëjë asgjë kundër Osimhen, me nigerianin që ka dërguar me lehtësi topin në rrjetë. Në minutën e 22-të rezultati mund të kishte ndryshuar përsëri. Këtë herë kanë qenë bardhezinjtë që kanë kërcënuar portën e Napoli-t, me goditjen e Di Maria-s që është ndalur nga traversa.
TRAVERSA E GODITUR NGA DI MARIA – VIDEO
Napoli ka realizuar edhe golin e dytë në minutën e 39-të me Kvaratskhelia. Gjeorgjiani ka marrë një pasim nga Osimhen dhe ka dërguar topin në rrjetë me një goditje të bukur.
Kundërpërgjigjja e Juventus-it ka ardhur vetëm tri minuta më mbrapa. Angel di Maria ka marrë një pasim të zgjuar në zonën e rreptësisë nga Milik dhe ka barazuar me lehtësi.
Ka nisur me gol pjesa e dytë. Napoli ka realizuar edhe golin e tretë me Rrahmani-n. Qendërmbrojtësi ka mposhtur Szczesny me një goditje të bukur në zonën e rreptësisë. Bardhezinjtë kanë protestuar për pozicionin e Osimhen, por për arbitrin dhe VAR gjithçka ka qenë e rregullt.
Në minutën e 65-të, skuadra e Spalletti-t ka kompletuar pokerin me Osimhen. Sulmuesi nigerian ka marrë një asist nga Kvaratskhelia dhe nuk ka gabuar, duke dërguar topin në rrjetë me një goditje me kokë.
Në minutën e 72-të ka ardhur edhe goli i pestë për vendasit. Autori ka qenë Elmas, i futur nga stoli në fillimin e pjesës së dytë në vend të Politano-s.
.