6.6 C
Skopje
December 8, 2019
Informacione Vendi

Në pritje të një profili tjetër votuesish

Nga Emin AZEMI

Në zgjedhjet parlamentare të radhës, që mbahen vitin e ardhshëm, të parakohshme apo të rregullta, elektorati dhe partitë politike do të shkojnë me shumë dilema e paqartësi. Nga përvoja e kaluar fushata parazgjedhore te ne gjithmonë fillon para se të jetë shpallur zyrtare, kështu që nga fushata e deri te vet procesi zgjedhor, partitë politike me vetëdije mundohen t’i shkelin parimet të cilat vet i përcaktojnë.
Dilema e parë që e ndjek votuesin te ne është arsye se pse ai duhet të votojë. Nëse zgjedhjet sjellin ndryshimin, ato mund të jenë më motivuese, mirëpo kur ato sjellin apatinë, gjegjësisht kur pushtetit i dalë nga zgjedhjet vazhdon agoninë e pushtetit pararendës, atëherë votuesi e ka vështirë të besojë se premtimet parazgjedhore mund të bëhen realitet.
Zgjedhjet e fundit që u mbajtën para tri vjetëve, që sollën në pushtet LSDM dhe BDI, për nga karakteri dhe rëndësia, prodhuan shumë elan tek votuesit, të cilët me shumë vullnet iu drejtuan kutive të votimit, duke kërkuar ndryshimin, si alternativë të vetme që do të shkulte nga skena politike një pushtet të korruptuar dhe shumë problematik në disa plane.
Mirëpo pritjet e votuesve që kërkuan ndryshimin, nuk u realizuan në plotninë e tyre, për arsye se kauzat politike që dolën nga ‘bombat’ e Zaevit, më tepër shërbyen për të sjellë atë në pushtet, se sa për të bërë ndonjë ndryshim krucial. Sukseset e kryeministrit aktual nuk janë gjithaq të perceptueshme për votuesit e thjeshtë, për arsye se kërkesat e tyre shkojnë përtej pragmatizmit politik. Natyra e këtyre sukseseve nuk ka prodhuar mirëqenie sociale e ekonomike për votuesit, dhe këtyre të fundit, bazuar edhe në anketat që janë bërë, shumë pak iu bën përshtypje ndryshimi i emrit të shtetit që solli Marrëveshjen e Prespës.
Shikuar nga ky prizëm mundësia e Zaevit për të rikthyer besimin tek elektorati maqedonas, është shumë e vogël, dhe atij i imponohet domosdoshmëria e bashkëpunimit parazgjedhor me shqiptarët, qoftë si subjekte politike, qoftë si individë apo grupe qytetare. Në Maqedoni në të kaluarën ka pasur mundësi të formohen qeveri edhe pa shqiptarët, nëse merret parasysh matematika e jo pragmatika, por tash e në të ardhmen, kjo mundësi gati është e pamundur. Jo pse subjektet politike maqedonase këtë e bëjnë nga dëshira, por nga nevoja. Kurse këtë nevojë kohët e fundit e ka nuhatur edhe Hristiajn Mickovski, i cili madje në kabinetin e tij, përveç flamurit maqedonas, e ka vendosur edhe atë shqiptar. Lideri i VMRO-së ka dërguar sinjale se është i gatshëm të bëjë koalicione edhe parazgjedhore me shqiptarët, por ai ende nuk e ka definuar se cilat janë preferencat e tij. Pozicioni i tij në bllokun opozitar kohëve të fundit ka pësuar një dridhje të vogël, pas paralajmërimeve se nga partia e tij do të shkëputet një grup eksponentësh për të formuar një subjekt të ri politik. Përveç Mijalkovit dhe Milloshovskit, përmenden edhe emra të tjerë, mjaft të shquar nga VMRO-ja, të cilët, siç informojnë mediat, shumë shpejt mund të kalojnë nga bashkëpartiak në konkurrues të VMRO-së. Ende nuk dihet se si do të shkojë në zgjedhjet e ardhshme, nëse formohet ky subjekt politik, bashkë me VMRO-në, apo ndaras, dhe ky fakt e bën edhe më dilematik fitoren eventuale të këtij blloku politik dhe ende më të paqartë mundësinë e bashkëpunimit me partitë shqiptare.
Disponimi politik në bllokun shqiptar para zgjedhjeve është ende i pa definuar në pikëpamje të konsolidimit opozitar dhe rifreskimit të partisë në pushtet – BDI, me prurje të reja, që do ta bënin atë më të fuqishme ndaj kritikave për korrupsion, nepotizëm, performansë të ulët kadrovike etj. Në kushtet e tilla kur partitë opozitar shqiptare nuk kanë demonstruar në praktikë ndonjë unitet parazgjedhor, dhe kur BDI ende nuk ka dhënë sinjale të qarta se në zgjedhjet e ardhshme do të shkojë me fytyra të reja, dhe me një qasje ndryshe ndaj problemeve që shqetësojnë elektoratin shqiptar, sidomos ato të karakterit, social, zhvillimor, e ekonomik, atëherë arsye për të besuar se këto zgjedhje të ardhshme do të sjellin ndonjë ndryshim rrënjësor janë shumë të vogla.
Në radhë të parë, ndryshimi mund të ndodhë vetëm nëse BDI mundet nga partitë opozitare shqiptare dhe nëse të njëjtat vinë në pushtet me premtimet të cilat do të arrijnë t’i realizojnë një për një gjatë mandatit qeverisës.
Pastaj, ndryshimi mund të ndodhë, nëse LSDM arrin ndonjë pakt me shqiptarët, qoftë si subjekte, qoftë si grupe, por jo në stilin e deritanishëm. Nëse ky pakt shndërrohet në formë të një dokumenti që do të inkorporohej në programin qeverisës, ku problematikat shqiptare do të pësonin një avancim substancial, atëherë në Maqedoni do të krijohet një aleancë e re shqiptaro-maqedonase, e cila nuk duhet të jetë patjetër të jetë e karakterit etnik, por më tepër e karakterit operacional dhe tematik.
Gjasat për të ndodhur këto ndryshime, tani për tani, janë shumë të vogla, ndonëse deri në zgjedhjet e radhës ka ngelë edhe pak kohë për të ndodhur të gjitha përgatitjet e nevojshme për një frymë të re që do të mund të integrohej në zhvillimet e ardhshme politike.
Por, çka do që të ndodhë në të ardhmen, liderët dhe partitë politike duhen ta kenë të qartë se në Maqedoni po formohet një profil tjetër i votuesit, i cili nuk do të bindet aq lehtë për votuar, kurse Kosova nuk është aq larg për t’u marrë si model se si kultura e votuesve u tregua shumë më superiore se çfarë do lloj joshje karamelizuese të partive politike.
A mund të ndodhë kjo edhe në Maqedoni? (koha.mk)

Artikuj të ngajshëm

Shtëpizat “Verë n’dimër” sjellin ngrohtësinë edhe këtë vit për qytetarët e Prishtinës

shprehja

A do të matet me përqindje përfaqësimi i grave në qeverinë e ardhshme?

shprehja

Pendarovski s’është i bindur për zgjedhjet në prill

shprehja