Enver Robelli
Parlamenti i Serbisë. Debat për Kosovën. Presidenti i ulur para kryetarit të parlamentit. Rrëmujë. Zhurmë. Sharje në drejtim te opozitës. Opozita ia kthen me tarifën e njëjtë presidentit. Para Aleksandër Vuçiqit gjendet një filxhan me portretin e ujkut. Një deputet opozitar e akuzon se ujku ka qenë logo e bandës kriminale të Millorad Ulemek Legijës, njërit prej organizatorëve të vrasjes së kryeministrit properëndimor Zoran Gjingjiq. Në fillim të janarit Vuçiq postoi në Instagram një mesazh: „Ujqit nuk tremben nga mendimi i deleve“.
Sot, ndërkaq, në tribunën e parlamentit serb si mysafir nderi ishte, sipas opozitës serbe, edhe Millan Radojçiqi, i dyshuar për veprime të shumta kriminale, i afërt me Vuçiqin dhe i vendosur në „listën e zezë“ të SHBA-ve.
Tensionet në parlamentin e Serbisë sot duken të inskenuara, në mënyrë që t’i forcohet pozicioni negociator Aleksandar Vuçiqit ndaj bashkësisë ndërkombëtare. Asnjë deputet serb deri më tani nuk foli për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Opozita serbe ishte po aq e zëshme me kërkesa për themelimin e „asociacionit të komunave serbe“ në Kosovë sa edhe pushteti që gjendet në duart e Vuçiqit.
Asnjë shprehje keqardhjeje për krimet e forcave serbe në Kosovë. Përkundrazi: pushteti (dhe sidomos Vuçiqi) akuzon opozitën e tanishme se kur ka qenë në pushtet i ka liruar nga burgu „1800 terroristë shqiptarë“. Mesazhi i kësaj porosie është se Vuçiqi dhe banda e tij më me dëshirë do t’i kishin vrarë edhe këta 1800 shqiptarë siç i kanë groposur gati 1000 shqiptarë në poligonin e policisë në Batajnicë afër Beogradit, ku asgjë nuk përkujton këtë krim monstruoz të regjimit serb.
Debati i sotëm në parlamentin serb, megjithatë, ishte interesat për të parë degradimin etik, moral, politik të një shoqërie dhe “elite” bixhozçinjsh që njëri-tjetrin e akuzojnë për mizoritë dhe barbaritë më të mëdha. Vuçiqi, për shembull, u akuzua për lidhjet me Velko Belivukun, një kriminel i rangut të lartë, i cili i ka bluar me sharrë rivalët e nëntokës, për lidhje me Predrag Kolluvinë, pronar i plantacionit me gjasë më të madh të drogës në Europë, për lidhje me tregtarin e armëve Sllobodan Teshiq.
Pak para orës 18:00 Vuçiq, i rrethuar me deputetët e partisë së tij, të gjithë statistë duartrokitës, u „përbetua“ se është kundër hyrjes së Kosovës në OKB dhe se nuk do ta pranojë kurrë pavarësinë e Kosovës. Më parë e mbrojti partnerin e tij jo vetëm politik Millan Radojçiq. Dhe vazhdoi fjalimin me akuza për plaçkitjet e opozitës kur ka qenë në pushtet.
Gjendjen e Serbisë mbase më së miri e ka përshkruar shkrimtari Danillo Kish. Sipas tij, Serbia edhe i frikësohet, edhe e urren Europën. Rrjedhimisht, është e dënuar të mbesë në duar të elitave politike mendjehallakatura. Më 12 mars 2023 bëhen 20 vjet nga vrasja e kryeministrit properëndimor Zoran Gjingjiq. Më 11 qershor 2023 bëhen 120 vjet nga vrasja e Mbretit Aleksandër Obrenoviq. Edhe ky properëndimor. Më 25 gusht 2023 bëhen 23 vjet nga vrasja e kryetarit të Serbisë Ivan Stambolliq. Më 28 qershor 2023 bëhen 22 vjet nga ekstradimi i Sllobodan Millosheviqit në Hagë. Njëqind vjet histori serbe: një mbret i vrarë, një kryeministër i vrarë, një ish-president i vrarë dhe një president i akuzuar për krime të luftës dhe i vdekur në burg. Është ora 19:37 dhe teatri parlamentar serb po vazhdon. Momentalisht po flet miku i kriminelit Millan Radojçiq. Predsedniku Aleksandër Vuçiq. Duke luajtur rolin e tij të preferuar teatral: herë manipulues, herë gënjeshtar, herë urrejtës, herë kërcënues, herë i shtirur si viktimë…