July 27, 2021
Portali Shprehja

Norvegjia ndalon me ligj influencuesit të publikojnë foto pa treguar që kanë përdorur Photoshop!

Rregullorja e re vjen si një ndryshim në Ligjin e Tregut të Norvegjisë dhe është sjellë si pjesë e përpjekjeve të vendit për të trajtuar standardet joreale të bukurisë, transmeton lajmi.net.

Ligji, i cili u prezantua si pjesë e një projektligji nga Ministria e Fëmijëve dhe Çështjeve Familjare të Norvegjisë, do të sigurojë që reklamat dhe postimet në mediat sociale që modifikojnë pamjen e trupit të një personi të jenë të shënuara qartë.

Kur të hyjë në fuqi, çdo influencer që po përfiton para nga postimet në Instagram do të detyrohet nga ligji të tregojë cilat foto janë të modifikuara.

Ligji u sanksionua nga parlamenti norvegjez më 11 qershor dhe futet në fuqi për fotot me ndonjë ndryshim që ndikon në pamjen e madhësisë, formës ose lëkurës së trupit të dikujt, përfshirë edhe përdorimin e filtrave të thjeshtë.

Ndryshimi thotë: ‘Reklamuesi dhe personi që krijon reklamën duhet të sigurojë më tej që reklama ku forma, madhësia ose lëkura e trupit të jetë ndryshuar, do të tregohet.’

Ky ndryshim në ligj kaloi me një shumicë të qartë votash prej 72-15.

Ky ligj do të ndikojë gjithashtu në çdo kompani që reklamon në mediat sociale dhe që modifikojnë postimet për të rritur fushatat e tyre reklamuese dhe të marketingut dhe synon trajtimin e përmbajtjes që “luan në pasigurinë shoqërore, ndërgjegjen e keqe, vetëvlerësimin e ulët ose kontribuon në presionin e trupit”.

Debati rreth imazhit të trupit dhe efektit të mediave sociale në ‘kroppspress’ (presioni i trupit) ka qenë një temë e nxehtë në Norvegji kohëve të fundit.

Në ndryshimet në Ligjin e Tregut, ministria tha:

‘Masa shpresojmë se do të japë një kontribut të dobishëm dhe të rëndësishëm në frenimin e ndikimit negativ që ka një reklamë e tillë, veçanërisht tek fëmijët dhe të rinjtë.’

Individët ose kompanitë që shkelin rregulloret e reja kur ato hyjnë në fuqi do të përballen me gjobitje të përshkallëzuara dhe mundësinë e burgimit në raste ekstreme.

Në Mbretërinë e Bashkuar nuk ka një ligj të tillë që kufizon ndikuesit të postojnë imazhe me filtra apo të modifikuara. Por Parlamenti nisi një hetim vitin e kaluar i quajtur ‘Ndryshimi i figurës së përsosur: një hetim mbi imazhin e trupit‘ të udhëhequr nga Komiteti i Grave dhe i Barazisë.

Hetimi synon të hetojë gjendjen e imazhit të trupit të njerëzve në Mbretërinë e Bashkuar, çfarë ndikon në mënyrën se si ndihen njerëzit për pamjen e tyre dhe çfarë ndryshimesh mund të bëhen për të përmirësuar imazhin e trupit për të gjithë. /Lajmi.net/

Të Ngjajshme

Çfarë të bëni kur nuk jeni të motivuar për asgjë

admin

Përmbytjet ‘pushtojnë’ Londrën, uji vërshon në metro

admin

Disa veprime të çuditshme që mund t’ju bëjnë të digjni aq kalori sa vrapi

admin

Leave a Comment