November 28, 2022
Portali Shprehja

Onishçenko pajiset me shtetësi të RMV-së pa ofruar dëshmi për kartën e tij penale

Gazetar: Adrian Kerimi

Agjencia për Siguri Kombëtare nuk ka asnjë përgjigje mbi shumë pyetjet dhe dilemat se si u pajis me shtetësi ukrainasi kontrovers Oleksander Onishçenko. Kush e ka firmosur vlerësimin, çfarë dokumentesh ka dorëzuar nga shteti amë dhe a ka ofruar dëshmi se Onishçenko nuk është nën ndjekje penale janë pyetjet për të cilat mbase drejtuesi i këtij institucioni, Viktor Dimovski do të duhet të përgjigjet të premten para deputetëve në Komisioni për mbikëqyrjen e punës së ASK-së dhe Agjencisë së Inteligjencës. Alsat në rrethana jo zyrtare mëson se kërkesa për shtetësi e pro rusit Onishçenko është adresuar në departamentin Shkup 2 në kuadër të ASK-së. Nga verifikimi që kanë bërë inspektorët, u ka rezultuar se figura në fjalë ka pengesa të cilat bien ndesh me filtrat e ASK-së, kjo bazuar në informacionet dhe masat ndërkombëtare të ndërmarra ndaj tij nga shtete të ndryshme përfshi edhe SHBA-të. Duke u deklaruar jo kompetent për këtë kërkesë, inspektorët e kanë adresuar kërkesën tek departamenti për krim të organizuar. Në këtë njësi dy udhëheqës, emra të njohur edhe në opinion kanë përpunuar kërkesën për shtetësi dhe e kanë proceduar. Mësohet se gjatë vlerësimit nuk është kërkuar asnjë dokument për kartën e tij penale e cila duhet të vinte nga Ukraina, e cila do të dëshmonte se Onishçenko nuk ndiqet penalisht dhe nuk është nën hetime nga organet ukrainase. Këto dy dokumente, janë alfa dhe omega e kërkesës për shtetësi sepse vërtetojnë nëse personi cenon ose jo sigurinë e vendit për ku pretendon të bëhet shtetas. Kërkesa është firmosur, është kompletuar dokumentacioni dhe i është nisur drejtorit të ASK-së. Por mbetet e paqartë se si u gjet ky propozim vetëm një dit pas nënshkrimit, në mbledhje të Qeverisë dhe u dha pëlqimi përfundimtar nga organi ekzekutiv. Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski në një intervistë për Televizionin 24 ka deklaruar se lista e zezë amerikane nuk është kusht që dikujt t’i ndalohet shtetësia maqedonase.

“Të jesh pjesë e listës së sanksioneve nuk do të thotë se patjetër je me dosje kriminale. Nuk më intereson çfarë thotë Onishçenko. Mua më intereson çfarë thonë institucionet tona. Institucionet tona e kanë thënë versionin e tyre përmes mendimit, përmes dokumentit të shkruar. Nuk dua të flas për arsyet pse ai gjendet në listën e zezë amerikane. Ajo nuk është punë e Maqedonisë së Veriut, ajo është çështje e partnerëve tanë”, deklaroi Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.

Të premten do të mbahet mbledhja e Komisionit për mbikëqyrjen e punës së ASK-së dhe AI-së e cila u thirr për të mërkurën por Dimovski për shkak të udhëtimit jashtë vendit nuk kishte mundësi pjesëmarrjeje. Dimovski para deputetëve do të deklaron dhe dëshmon të gjitha procedurat se si Onishçenko u pajis me shtetësi duke qenë i ndjekur penalisht nga shteti i tij amë, në listën e zezë amerikane dhe i akuzuar për keqpërdorim të 100 milion eurove. Onishçenko u pajis me shtetësi në maj të këtij viti fal vendimit të Qeverisë. /Alsat.mk

.

Të Ngjajshme

Transportuesit privat do të bllokojnë nesër udhëkryqin te “Mavrovasja” me 30 autobusë

Bie bora e parë në Strazhë

admin

Shumë zanate janë drejt zhdukjes

Leave a Comment