Gazetar: Shkelzen Aqifi
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që mos të kërkojë nga Kosova të zbatojë gjëra të cilat nuk janë në marrëveshjen bazë Kosovë-Serbi, por të insistojë në zbatimin e aneksit të marrëveshjes për të cilin janë pajtuar dy palët. Ajo ka thënë se interpretimet e reja nga BE-ja, ku neni shtatë kërkohet të jetë prioritet apo parakusht i zbatimit të neneve të tjera të marrëveshjes e zhvlerësojnë procesin e dialogut.
“Presim që edhe interpretimet nga miqtë tanë të jenë në përputhje me atë që jemi pajtuar dhe jo të kërkohet nga Republika e Kosovës që të bëjë diçka që fare nuk është në marrëveshje. Në mënyrë më specifike ajo çka po i referohem ka të bëjë me kërkesat që një nen i caktuar i marrëveshjes të ketë prioritet apo parakusht për zbatimin e neneve të tjera. Ne nuk jemi pajtuar për një gjë të tillë, prandaj interpretimet e tilla vetëm sa e zhvlerësojnë procesin e dialogut dhe marrëveshjet që dalin nga ajo. Republika e Kosovës do të zbatojë të gjitha ato për të cilat është zbatuar, jo për hapa të tjerë që nuk është pajtuar. Ne presim që BE-ja mos të kërkojë që të zbatohen gjëra për të cilat nuk jemi pajtuar. Ne presim akoma që BE-ja të jetë e qartë në raport me shkeljet e Serbisë, deri tani nuk e kemi pa një gjë të tillë”, deklaroi Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se pala kosovare është e interesuar të zbatohet në tërësi marrëveshja, e jo vetëm neni 7.
“Pra është problemi te pala tjetër e cila nga pesë pikat e preambulës dhe 10 nenet e marrëveshjes, ajo dëshiron që ne të përqendrohemi vetëm tek neni 7. Natyrisht se neni 7 është pjesë e marrëveshjes, por neni 7 nuk është marrëveshja dhe këtë gjë zëvendëskryeministri Bislimi e ka bërë të qartë mbrëmë në Bruksel dhe gjithashtu kemi theksuar se dëshirojmë një plan zbatimi i cili është i hollësishëm, konkret, i balancuar dhe gjithëpërfshirës. Nuk mund të jetë plani i zbatimit të sekuencuar për marrëveshjen që e kemi bërë vetëm në nenin 7”, tha Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.
Në nenin 7 të Marrëveshjes së Ohrit, që parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb thuhet:
Neni 7 i Marrëveshjes së Ohrit
“Të dyja palët janë të përkushtuara në arritjen e marrëveshjeve specifike dhe garancive, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë e ofrimit të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia dhe kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës”.
Dje në Bruksel është mbajtur takimi i radhës i kryenegocitorëve të dialogut, i cili përfundoi pa rezultate konkrete. Zv.kryeministri Besnik Bislimi tha pas takimit se gjatë vizitës së javës së kaluar, i dërguari i BE-së, Mirosllav Lajçak dërgoi në Prishtinë dhe Beograd disa dokumente në të cilat është shkruar edhe qasja e tij se si duhet të vazhdohet me zbatimin e pikës shtatë të marrëveshjes që ka të bëjë me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Lajçak tha se diskutimet do të vazhdojnë në nivel të grupeve punuese dhe ekspertëve për zbatimin e marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi dhe aneksit të tij. /Alsat.mk
.