June 18, 2021
Portali Shprehja

Palmer tregon se si është e mundur marrëveshja pa njohje Kosovë-Serbi – Iliria News Agency

Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, tha te premten (4 qershor) se qëllimi përfundimtar i Shteteve të Bashkuara është që të arrihet njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë ai e ka lënë të hapur mundësinë që Uashingtoni të mbështesë edhe modalitete tjera të marrëveshjes gjithëpërfshirëse, nëse për ato pajtohen të dyja palët.

“Vizioni ynë është që Serbia dhe Kosova të jenë anëtare të Bashkimit Evropian. Por, si mund të jenë dy vendet anëtare të BE-së nëse nuk e njohin njëra-tjetrën? Kjo (njohja e ndërsjellë) do të hapte rrugën evropiane për të dyja vendet. Për këtë arsye Shtetet e Bashkuara e shohin njohjen e ndërsjellë si rrugën më të mirë për të arritur këtë”, ka thënë Palmer për televizionin N1 të Serbisë.

Palmer dhe Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak kanë biseduar me autoritetet e Beogradit për procesin e dialogut dhe vizita e tyre atje u bë pas qëndrimit në Prishtinë.

Në pyetjen nëse ekziston një “Plan B” , apo mundësia që të arrihet një marrëveshje por në të mos të përfshihet njohja, diplomati amerikan u përgjigj:

“Marrëveshja mund të jenë gjithçka për të cilën të dyja palët pajtohen. Qëllimi ynë është që të nxisim palët të ulen në tryezë dhe të paraqesin cilat janë vijat e tyre të kuqe, çfarë mund dhe nuk mund të bëjnë. Ne nuk përcaktojmë agjendën, as nuk përcaktojmë rezultatin”, tha ai.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pritet të takohen gjatë muajit qershor, për të vazhduar procesin e dialogut mes dy vendeve i cili ka filluar më 2011 më ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por është shoqëruar me disa ndërprerje dhe hezitim të palëve për të zbatuar një sërë marrëveshjesh teknike të arritura.

Të Ngjajshme

Emërohet u.d i Drejtorit të Klinikës Infektive në Prishtinë – Iliria News Agency

admin

BE përzë investitorët kinezë, por Gjermania jo – Iliria News Agency

admin

Nis Samiti në Vjenë, këto janë temat që po diskutohen – Iliria News Agency

admin

Leave a Comment