Te skuadra e Borussia Bortmund janë të bindur se mesfushori i talentuar anglez Jude Bellingham do të lërë skuadrën herët a vonë: Në merkaton e janarit apo atë të verës së ardhshme. Gjithsesi, të mësuar me këtë situatë në dy vitet e fundit, te Dortmund nuk shqetësohen shumë (verën e kaluar u largua edhe Haaland).
Sipas “Sky Sports DE”, skuadra gjermane ka gati zëvendësuesin e Bellingham dhe ai është talenti ganez i Ajax, Muhammed Kudus. 22-vjeçari luan prej vitit 2020 me ekipin e Ajax, ndërkohë që aktivizohet edhe me ekipin kombëtar të vendit të tij, ku ka realizuar 7 gola në 21 takime (dy gola edhe në botërorin e Katarit).
Pikërisht në botërorin e Katarit ai bëri një paraqitje të mirë, duke tërhequr vëmendjen e drejtuesve të Borussia Dortmund, që janë gati t’i ofrojnë një kontratë të re që në merkaton e janarit. Kudus, ndryshe nga Bellingham, është një lojtar sulmues, më i fuqishëm dhe mjaft i saktë para porte.
Te Dortmund vijojnë kështu me strategjinë e zbulimit të talenteve të reja, ku luajnë e fitojnë përvojë, për t’u shitur më pas në ekipet më të mëdha në Europë dhe arkëtuar mjaft të ardhura.
.