February 1, 2023
Portali Shprehja

PE: Ka ndikim të madh rus në rajon

Gazetar: Lluka Andreev

Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë perspektivë evropiane, por ne duhet të jemi më të pranishëm në terren për shkak të ndikimit të palëve të treta, ka theksuar euro-deputeti Dejvid Mekallister, pasi Parlamenti Evropian miratoi Raportin për politikën e jashtme të Unionit. Sa i përket rajonit tonë, Raporti përshëndet fillimin e negociatave të anëtarësimit me Shkupin dhe Tiranën, statusin e  kandidatit për Bosnjën dhe regjimin pa viza për Kosovën. Megjithatë, thuhet gjithashtu se ka ndikim të fortë rus në Ballkan.

“Ne, Bashkimi Evropian dhe bota perëndimore duhet të jemi aktiv në Ballkan, në të gjashtë vendet dhe të luftojmë propagandën negative destabilizuese nga vendet e treta që përhapin lajme të rreme, veçanërisht nga Federata Ruse. Do të vazhdoj të them gjithmonë se nëse tërhiqemi politikisht dhe ekonomikisht nga Ballkani, vendet e treta do të mund të na zëvendësojnë menjëherë si faktorë”, u shpreh Dejvid Mekllister– kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, raporti nuk ishte i favorshëm për Serbinë. Amendamentet u pranuan duke rekomanduar që Këshilli Evropian të ndërpresë negociatat e anëtarësimit derisa Beogradi t’i aktivizojë sanksionet evropiane kundër Rusisë.

“Në përgjithësi, Parlamenti Evropian ishte i qartë, me shumicë të madhe, se presim që vendet që do të anëtarësohen në BE, ta respektojnë plotësisht, hap pas hapi, politikën e përbashkët të jashtme dhe atë të mbrojtjes. Kjo nënkupton edhe përfshirjen në të gjitha pakot e sanksioneve dhe padyshim që Serbia ka mendim të ndryshëm nga Bashkimi Evropian”, shtoi Dejvid Mekallister– kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme.

Euro- deputetët kërkuan gjithashtu sanksione për presidentin e “Republikës Srpska”, Millorad Dodik, duke theksuar se ai është faktor destabilizues në Bosnje dhe Hercegovinë.

Në amendamentet e miratuara në Raport nuk është kursyer as komisionari evropian për zgjerim, Oliver Varhei. Respektivisht kërkohen hetime ndaj tij lidhur me dyshimin për përpjekje të qëllimshme për të anashkaluar rëndësinë e reformave demokratike dhe të sundimit të ligjit në vendet e anëtarësimit në BE, pa specifikuar se cilat. Më herët gazeta “Politiko” për të kishte shkruar se Varhei ka favorizuar Serbinë në negociatat për anëtarësim. /Alsat.mk

.

Të Ngjajshme

Grupi i Zjarrit në Kërçovë: Ahmetin e mbrojmë vetëm ne

Duel i futbollistëve shqiptarë në Kupën e Italisë

Kristian Eriksen, jashtë terrenit deri në muajin prill

Leave a Comment