October 2, 2022
Portali Shprehja

Pendarovski: Shfuqizimi i marrëveshjes me Bullgarinë ndaj eurointegrimin e vendit

Presidenti Stevo Pendarovski konsideron se nuk mund të bisedojmë për integrime evropiane nëse nuk duam marrëveshje për fqinjësi të mirë me fqinjët. Nuk mbështet referendum me të cilin do të shfuqizohej Marrëveshja për Fqinjësi të Mirë me Bullgarinë, sepse kjo, siç tha, do ta ndërpriste integrimin evropian të vendit. Kjo, thekson, do të ishte njëjtë sikur të besojmë se mund ta shfuqizojmë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë, ndërsa të besojmë se mund të bëhemi anëtare e NATO-s. Kjo, potencoi Pendarovski, nuk është e mundur.

“Ky nuk është qëndrim im ad-hok, ky është i bazuar në argumente dhe në proces të të menduarit çka mund të sjellë ai referendum nëse është i suksesshëm. Të mos ketë ndonjë huti, të përsëris edhe një herë. Nëse ju e kontestoni ose bëni përpjekje që ta kontestoni përmes referendumit Marrëveshjen dypalëshe me Bullgarinë dhe integrimet dhe bisedimet evropiane, kjo është njëjtë sikur dikush tu thotë se mundeni në referendum ta kontestoni ose shfuqizoni Marrëveshjen me Greqinë dhe të bëheni anëtare të NATO-s, nuk është e mundur. Domethënë, të mos kemi iluzione, marrëveshjet dypalëshe me fqinjët dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore siç i quajnë në BE janë një prej parakushteve kyçe, gjithnjë edhe kanë qenë, për integrim të cilitdo shtet jo vetëm nga ky rajon, por edhe nga e gjithë bota pas komunizimit pas vitit 1990”, deklaroi Pendarovski.

Ai duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve në konferencën për media me presidenten sllovake Zuzana Çaputova, përsëriti se nuk mund të flasim për integrime evropiane nëse nuk duam të kemi marrëveshje për fqinjësi të mirë, me siç theksoi, fqinjët e parë.

Lidhur me atë se a do të iniciojë takim me kryetarin e VMRO-DPMNE-së Kristijan Mickoski, partia e të cilit ka iniciuar procedurë për shpalljen e referendumit, presidenti Pendarovski theksoi se kushdo që ka dashur të bisedojë me të për çfarëdo çështje e ka marrë atë dhe se ai si president inicioi takime dhe bisedime me të gjithë aktorët politikë.

“Mbetem i hapur për diskutime për çdo çështje që prek interesat e shtetit dhe mbi të gjitha interesat e qytetarëve. Por, në lidhje me këtë pyetjen tuaj, qëndrimi im dihet dhe dje ia kam bërë të ditur opinionit maqedonas”, tha Pendarovski.

VMRO-DPMNE-ja opozitare ka filluar procedurën për nismën qytetare për mbledhjen e nënshkrimeve për shpalljen e referendumit të detyrueshëm. Pyetja e referendumit, siç njoftuan nga partia, do t’i referohet Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë me Bullgarinë, të nënshkruar nga kryeministrat e atëhershëm Zoran Zaev dhe Bojko Borisov, e cila, sipas VMRO-DPMNE-së, “është burimi dhe fillimi i të gjitha problemeve për Maqedoninë dhe baza mbi të cilën atëherë Bullgaria bazonte kërkesat dhe qëndrimet e saj maksimaliste”.

Të Ngjajshme

Kosovë/ Ndërpritet greva, mësimi fillon të hënën, më 3 tetor

Greqia nuk ka punëtorë! Kërkohet ndihmë nga Shqipëria

Gjermanët llogaritën sa kushton rritja e fëmijëve deri 18-vjeç, kjo është shifra

Leave a Comment