February 1, 2023
Portali Shprehja

Për dy ditë importohen 5800 MWH energji elektrike, TEC Osllomej mbetet jashtë funksionit

Gazetar: Adnan Qaili

Për dy ditë sa nuk punoi Blloku 1 në TEC Manastir dhe Termocentrali tjetër në Osllomej, EMV u detyrua të importojë energji elektrike. Sipas tyre për datat 4 dhe 5 Janar janë blerë 5,800 MW/h shtesë nga jashtë për të përmbushur kërkesat e konsumit ditor për furnizime shtesë për shkollat, industrinë ushqimore, ndërmarrjet e ujësjellësit, spitalet dhe institucionet tjera vitale shtetërore. Sipas EMV-së, prodhimi vendor i plotëson nevojat për energji elektrike për tregun e rregulluar në amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël. Drejtor i EMV-së Kovaçevski tha se amortizimi i blloqeve po u shkakton defekte.

“Kjo është teknologji ruse dhe vetë prodhuesi në dokumente tregon se këto pajisje duhet të shfrytëzohen maksimum 35 vjet. Ne do duhej para 7 viteve ti ndërrojmë këto duke i hequr nga funksioni këto blloqe në TEC Manastir. Por kushtet në shtetin tonë, investimi i dobët në elektro energjetikë në tri dekadat e fundit ka sjell deri në këto defekte. Jemi të detyruar të angazhohemi me investime plotësuese në këto kapacitete të amortizuara në TEC Manastir dhe në TEC Osllomej për t’ju vazhduar jetëgjatësinë”, deklaroi Vasko Kovaçevski, Drejtor i EMV-së.

Duke iu referuar importit të rrymës, ka reaguar VMRO-ja, duke kumtuar se qeveria një gjë e thotë në shtëpi para qytetarëve dhe diçka tjetër para kreditorëve që na japin para. Në raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, sipas tyre, thuhet se në Maqedoni tarifat e energjisë elektrike dhe të ngrohjes janë rritur me rreth 30% për konsumatorin mesatar gjatë vitit 2022.

“Për më tepër, raporti i FMN-së thotë se EMV aktualisht nuk ka humbje në prodhimin e saj të energjisë elektrike, që përfaqëson 75% të energjisë elektrike që furnizon në tregun e rregulluar. Por humbës është për 25% e mbetura, të cilat janë blerë nga kapacitete prodhimi më pak efikase ose importohen me një çmim shumë të lartë importi. Nëse energjia elektrike do të ishte e prodhuar në vend, atëherë nuk do të kishte humbje në funksionimin e EMV-së dhe as nuk do të nevojiteshin subvencione të larta fiskale”, njoftojnë nga VMRO DPMNE.

Sipas VMRO DPMNE edhe pse nuk pati krizë energjetike në vitin 2020 humbja e EMV-së ishte 17 milionë euro, kurse në vitin 2021 u thellua në 28 milionë euro. Në vitin 2022 qeveria transferoi rreth 207 milionë euro për EMV-në për energjinë elektrike. Nga Qeveria thonë se përmes Elektranave të Maqedonisë ata subvencionojnë faturat e qytetarëve për energjinë elektrike. EMV i dërgon EVN Home rrymë më të lirë pas vendimit të Qeverisë, si masë kundër krizës që subvencionon faturat e energjisë elektrike për amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël, si dhe faturat e energjisë termike në qytetin e Shkupit. /Alsat.mk

.

Të Ngjajshme

Hulumtimet e shumta nuk kanë arritur në përfundime të sakta se deri në çfarë mase çajrat mund të shërojnë gripin dhe të ftohtin

Taravari: për ASH-në mbetet prioritet lufta kundër korrupsionit dhe funksionimi i shtetit të së drejtës

Sevilja forcohet me lojtarë nga Totenhami dhe Marseja

Leave a Comment