Gazetare: Fatlume Dervishi
Shteti nuk posedon mekanizma për evidentimin dhe kontrollimin e detyrueshëm të dhuratave që personat e zgjedhur dhe te emëruar pranojnë nga biznesmenët, prandaj rekomandimet e Bashkimit Evropian dhe të GREKO-s janë që kjo çështje të rregullohet. Zv/kryeministrja për Qeverisje të Mirë Sllavica Gërkovska pranoi se për momentin, asnjëri nga qeveritarët nuk ka paraqitur asnjë dhuratë e cila kushton më shumë se 20 euro, ashtu siç i urdhëron Kodi etik për ministrat. Dhuratat e shtrenjta, shërbimet dhe të mirat e tjera, janë bazë për korrupsion dhe pazare mes biznesit dhe pushtetarëve.
BE-ja ka miratuar rregulla të reja sipas të cilave komisionerët nuk mund të pranojnë dhurata, shërbime ose të mira në vlerë më të lartë se 150 euro. Në rast se kjo ndodh janë të detyruar ta dorëzojnë atë në sektorin për protokoll i cili harton regjistër publik për dhuratën dhe identitetin e dhuruesit.
“Ne si shtet po ashtu e kemi për detyrim ta rregullojmë këtë materie, aq më tepër jo vetëm për shkak të rekomandimeve të BE-së ose të Grekos, të cilat na rekomandojnë që të ketë të rregulla të vërtetuara në mënyrë strikte që të shmanget, në thonjëza, shoqërimi mes politikanëve dhe biznesmenëve dhe në atë mënyrë të ndikohet mbi vendimet ose interesat të cilat do të mund të jenë në drejtim të favorizimit të një pale”, deklaroi Sllavica Gërkovska, Zv/kryeministre për qeverisje të mirë.
Legjislacioni aktual në vend nuk ka definicion të qartë se çfarë nënkupton dhurata ndaj funksionarit. Përmendet vetëm objekte të tundshme ose patundshme por jo edhe shërbimet mikpritëse dhe benefitet e tjera.
Kabineti i Gërkovskës është duke përgatitur bazën e zgjidhjes ligjore me të cilën thonë se kjo pjesë do të definohet. Analiza e përgatitur nga Fondacioni Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore (IFES) sugjeron që si dhuratë të llogaritet çdo objekt në formë të gatshme, mall, e drejtë ose çfarëdo shërbimi i dhënë pa pagesë ose me vlerë më të vogël nga vlera komerciale e tyre. Këtu përfshihen edhe ofertat për mikpritje si ushqime, pije, shpenzime rruge, akomodim dhe shpenzime të tjera.
Sipas IFES, zgjidhja ligjore për të deklaruar këto dhurata duhet të përfshijë personalisht personat të cilëve u janë besuar funksione më të larta, familjarët e tyre dhe bashkëpunëtorët më të afërt.
Me ligj duhet të definohet edhe cili do të jetë organi që do të udhëheqë me regjistrin e dhuratave. /Alsat.mk
.