September 28, 2020
Portali Shprehja

Phillips: Marrëveshja e Washingtonit injoroi çështjen thelbësore

Marrëveshja e Washingtonit injoroi çështjen thelbësore – njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kështu ka thënë David L. Phillips, ish-këshilltar i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, aktualisht drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtave të Njeriut në Universitetin e Kolumbias.

Sipas tij, me përjashtim të njohjes nga Izraeli, pjesë tjetër e marrëveshjes është një rilexim i marrëveshjeve ekzistuese.

“Marrëveshja e Washingtonit është e heshtur sa i përket njohjes reciproke, e cila qëndron në thelbin e problemeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshjet për targa dhe diploma janë të mira. Por ato nuk janë zëvendësim për një marrëveshje të përgjithshme, për njohjen reciproke”, ka thënë Phillips në intervistën e javës për “Kohën Ditore”. Sipas Phillips, Shtetet e Bashkuara do të duhej të lëshonin një “deklaratë të presidentit”, duke afirmuar politikën e saj karshi Kosovës dhe duke u bërë thirrje shteteve të tjera që ta njohin pavarësinë e Kosovës. Por, siç ka thënë ai, administrata aktuale ishte e përqendruar në arritjen e një marrëveshjeje për bashkëpunim ekonomik rajonal, në mënyrë që Trumpi të pretendojë një sukses në politikën e jashtme përpara zgjedhjeve të SHBA-së, të cilat mbahen në nëntor. Teksa ka folur për elementet që duhet t’i përmbajë një marrëveshje finale dhe ligjërisht e obligueshme Phillips, i cili ka shërbyer si këshilltar i lartë në Sekretariatin e Kombeve të Bashkuara, vlerëson se Serbia është ajo që duhet të bëjë kompromise.

“Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, të vendosë marrëdhënie diplomatike dhe t’u bëjë thirrje vendeve të tjera t’i normalizojnë marrëdhëniet me Kosovën. Ajo duhet të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe të mirëpresë flamurin e Kosovës që valëvitet jashtë selisë së Kombeve të Bashkuara”, ka theksuar ai në intervistë për gazetën Koha Ditore. Sa i takon Kosovës, sipas Phillipsit, nuk duhet dhënë asgjë më shumë përveç riafirmimit të angazhimit për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pakicave dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore serbe.

Të Ngjajshme

“Qeveria Hoti” sërish dështon të votojë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike

admin

Moti gjatë kësaj jave në Shqipëri

admin

Trump: Hoti e Vuçiq u përqafuan në Shtëpinë e Bardhë

admin

Leave a Comment