December 3, 2022
Portali Shprehja

“Plani i supozuar franko-gjerman si shpërblim për Beogradin dhe presion mbi Prishtinën”

Plani franko-gjerman i publikuar nga rrjeti mediatik Euroactiv, nëse është autentik, konsiderohet si shpërblim për Beogradin për përshkallëzim të situatës dhe presion mbi Prishtinën, sipas Kurt Bassuener, nga organizata ndërkombëtare Këshilli për Politikën e Demokratizimit, me seli në Berlin.

Bassuener ka thënë për Radion Evropa e Lirë se qëllimi i këtij plani është të mos insistohet në njohje reciproke mes dy vendeve.

Ai e ka cilësuar këtë plan si diskriminues ndaj Kosovës, ndërsa ka thënë se është edhe ndër faktorët kryesorë për situatën e tensionuar në veri të Kosovës.

Në një dokument të publikuar nga rrjeti mediatik i specializuar në politikat e Bashkimit Evropian, Euroactiv, më 9 nëntor, thuhet se marrëdhëniet e mira fqinjësore mes Kosovës dhe Serbisë do të bazohen në të drejta të barabarta dhe se Kosova dhe Serbia do të udhëzohen nga qëllimi i përbashkët i anëtarësimit në BE.

Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur ta konfirmojë vërtetësinë e këtij dokumenti, deri në publikimin e kësaj interviste.

Kancelari gjerman Olaf Scholz e konfirmoi më 3 nëntor ekzistimin e planit franko-gjerman, që është raportuar se është një propozim për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë.

Për Prishtinën, sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, plani franko-gjerman është “hap në drejtimin e duhur”.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, nuk ka komentuar për këtë temë deri në momentin e publikimit të artikullit.

Kurti, në një konferencë për media më 7 nëntor, tha se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, po i përdorte pjestërarët e strukturave ilegale në veri për destabilizim pasi kishte refuzuar planin franko-gjerman.

Kosova nisi më 1 nëntor zbatimin e planit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme, përkundër insistimit nga komuniteti ndërkombëtar për shtyrjen e këtij plani. Në shenjë proteste, serbët e veriut, të mbështetur nga Beogradi zyrtar, kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: Me sa duket, plani franko-gjerman për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë ka dalë në publik. Edhe pse njohja nuk përmendet në mënyrë eksplicite në plan, megjithatë thuhet se të dyja palët do ta “riafirmojnë paprekshmërinë tani dhe në të ardhmen të kufirit që ekziston ndërmjet tyre”. A e shihni këtë praktikisht si njohje të pavarësisë së Kosovës nga Serbia?

Kurt Bassuener: Jo, nuk e shoh. Mendoj se, në themel, ai artikull tenton ta paralajmërojë Serbinë të mos e kalojë kufirin në veri të Kosovës. Nuk e shoh këtë as si njohje implicite të Kosovës. Ka elemente të tjera në atë plan franko-gjerman që janë mbështetur fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo që mua më është dukur interesant për planin e publikuar, që nuk e ka mohuar askush deri tani, është mënyra se si është në kundërshtim me deklaratat që kancelari Scholz i bëri kur e vizitoi rajonin. Ato ishin shumë më të qarta dhe më të drejtpërdrejta për Beogradin sa i përket nevojës për njohje të pavarësisë së Kosovës nëse Serbia dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Dhe, kjo më duket se po e rivendos qëllimin fillestar të dialogut, qëllimit që e kishte edhe paraardhësja e Scholzit, kancelarja Angela Merkel, kur i tha ish-presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, para 11 vjetëve pak a shumë të njëjtën gjë.
Fakti që ai po distancohet nga kjo më duket një tentim për ta qetësuar situatën, jo për ta zgjidhur atë.

Radio Evropa e Lirë: Si mendoni se mund të zgjidhjet kriza lidhur me targat dhe largimin e përfaqësuesve serbë nga institucionet e Kosovës?

Kurt Bassuener: Unë frikësohem se zgjidhja e kësaj do të jetë që Qeveria e Kosovës të tërhiqet dhe të përmbahet nga zbatimi i vendimet për regjistrimin e veturave. Nëse është kështu, dhe kështu më duket mua, do të ishte pikë së pari një shpërblim për përshkallëzimin e shkaktuar nga Serbia. Gjithashtu, do të ishte një shenjë diskriminimi nga politikat perëndimore drejt tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor, sepse po i jep të drejta palës së fuqishme dhe po i bën presion palës më të dobët me qëllimin për të arritur një marrëveshje çfarëdo për ta qetësuar situatën.

Të Ngjajshme

Kjo është letra që Sokol Halili që u vetvra sot ia kishte lënë babait të tij (LETRA)

admin

Sanksione ndaj Koresë Veriore pas testimeve raketore

admin

Një shqiptare në Katar: Nuk janë të vërteta ato që shkruhen, këtu festohet 24 orë në ditë

admin

Leave a Comment