Gazetar: Bashkim Sulejmani
“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, sot, edhe zyrtarisht solli vendimin e prerë që Biblioteka e Tetovës, e cila tash e dy dekada po mbijeton në kushte mizërie në këto hapësira, të largohet nga ky vend, dhe të kalojë tek hapësirat prapa meje, që janë të UT-së, gjegjësisht fakultetit të arteve muzikore, ku kushtet janë ende më të këqija”, raporton gazetari i Alsat, Bashkim Sulejmani.
Ky vendim, ka shqetësuar tej mase punonjësit e bibliotekës së Tetovës, të cilët, refuzojnë që të zbatojnë këtë vendim. Ata sot në shenjë proteste, dolën të gjithë në përkrahje të drejtoreshës së këtij institucioni, që vendimi i Qeverisë të mos zbatohet.
“Është për të ardhur keq se Ministrja asnjëherë nuk na konsultoi neve se a janë të përshtatshme ato hapësira, a na konvenojnë neve dhe a janë të përshtatshme për bibliotekë. Ministria gjithë komunikimin zyrtar e ka bërë përmes Qendrës për kulturë. Neve vetëm se na është dhënë vendimi përfundimtarë që duhet t`i lëshojmë këto hapësira, por neve nuk do ti lëshojmë. Sepse ato hapësira që na jepen nuk plotësojnë as kushtet minimale për bibliotekë. Të gjithë punonjësit janë të këtij mendimi, ata janë më gjatë se unë këtu dhe e dinë se cilat kushte duhet ti plotësojë biblioteka. Kushtet ku do duhej të shkojmë nuk janë aspak të mira dhe ne do ngelim kështu. Kërkojmë nga Qeveria dhe ministria që ta ndërrojnë këtë vendim të marrin edhe mendimin tonë, sepse nuk jemi kundër të na çojnë në kushte më të mira, por këtu ku na çojnë janë kushtet edhe më të këqija”, tha Rezearta Ismaili, drejtoreshë e Bibliotekës së Tetovës.
Kontaktuam edhe shtëpinë e kulturës, nga ku na u konfirmua vendimi që në afat prej 15 ditësh të lirohen hapësirat e bibliotekës, të cilat do ti jepen zyrës së delegacionit të BE-së.
“Ajo që tanimë u bë temë debati së fundmi për hapësirat ku do vendoset Biblioteka e Tetovës, Qeveria e Maqedonisë së Veriut solli vendim që hapësira ku ndodhet Biblioteka do ti jepen zyrave të delegacionit të Evropës, ndërsa Biblioteka do zhvendoset në hapësirat e fakultetit të arteve muzikore. Afati është 15 ditë nga dita e pranimit të vendimit”, u shpreh Vullnet Fejzullahu, Shtëpia e kulturës Tetovë.
Ndryshe, tash e dy dekada, Biblioteka e Tetovës, funksionon me mungesë të kushteve elementare për punë si për ekspozim të librave në rafte, po ashtu edhe për ruajtjen e arkivit dhe librave shtesë, të cilat, siç mund të shihen nga pamjet, deponohen nëpër hapësira jo adekuate dhe po shkatërrohen dita ditës mbi 50.000 tituj librash. Dhe sikur kjo të mos mjaftojë, në gjendje tejet të keqe ruhen edhe shtypi ditor që daton që nga viti 1940 e këndej.
Nga drejtoria e bibliotekës së Tetovës, disa herë në Ministri është bërë kërkesë për kushte më të mira, por Ministria asnjëherë nuk pati vesh për zgjidhjen e këtij problemi, dhe në vend që të gjejë hapësirë më shumë për bibliotekën e Tetovës, ata dislokojnë këtë institucion në kushte edhe më të këqija./ Alsat.mk
.