September 27, 2020
Portali Shprehja

Rasti “Dehari” ende i pazbardhur, shteti nuk di kur vijnë ekspertët zviceranë

Ekspertët zviceranë të cilët ishte paraparë të vijnë në Kosovë për të hetuar vdekjen e Astrit Deharit nuk kanë ardhur ende. Institucionet kosovare nuk kanë informatë se kur do të vijnë ekspertët të cilëve Prokuroria Speciale iu kërkoi ndihmë në zbardhjen e vdekjes së Deharit, shkruan Gazeta Express, përcjell INA.

Janë bërë gati katër vjet prej vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, në qendrën e paraburgimit në Prizren. Rrethanat e vdekjes janë ende të pasqaruara.

Instituti i Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës kishte ardhur në përfundim se gjasat janë të vogla që Astrit Dehari të jetë vetëvrarë. Në këtë mënyrë, është rikthyer në hetim rasti “Dehari”.

Megjithatë, ekspertët zviceranë të cilët ishte paraparë të vinin në Kosovë për të hetuar vdekjen e aktivistit të VV’së, nuk kanë ardhur ende.

Kështu kanë deklaruar për Gazetën Express nga Ministria e Drejtësisë.

“Në Institutin e Mjekësisë Ligjore nuk ka ardhur askush për të hetuar rastin A. Dehari”, thuhet në përgjigjen e MD’së.

MD bën të ditur se Instituti i Mjekësisë Ligjore nuk është i informuar se kur do të vijnë ekspertët nga Zvicra.

“IML po ashtu nuk ka informacion se kur do të vijnë këta ekspertë për hetimin e përmendur”, deklaron MD.

Prokuroria Speciale e Kosovës i kishte ftuar ekspertët zviceranë për të ndihmuar në zbardhjen e vdekjes së Astrit Deharit.

Nga instituti zviceran kishin deklaruar se ardhja e tyre është shtyrë për shkak të pandemisë.

Ndërkaq nga VV’ja kanë thënë se Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka thënë se ekspertët do të vijëë në qershor.

Por, sipas tyre, nuk ka asnjë informatë rreth ardhjes së ekspertëve në Kosovë.

Albulena Haxhiu nga kjo parti në një konferencë për media, ka thënë se Prokuroria duhet të tregojë se çfarë ka ndodhur me këtë rast.

“Kërkojmë të dimë nëse kanë ardhur. Nëse po çfarë ka ndodhur, dhe nëse nuk kanë ardhur pse”, ka thënë Haxhiu.

Astrit Dehari vdiq më 5 nëntor të vitit 2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren ku po mbahej me katër aktivistë tjerë të VV’së.

Ata dyshoheshin për sulmin me mjet shpërthyes kundër Kuvendit të Kosovës që kishte ndodhur në mbrëmjen e 4 gushtit të vitit 2016.

Pas vdekjes së Deharit, Prokuroria e Prizrenit kishte deklaruar se ai është vetëvrarë.

Kryeprokurori Sylë Hoxha kishte thënë se vdekja e Astrit Deharit ka ardhur nga asfiksia dhe mbyllja e rrugëve të frymëmarrjes.

Pas tre muajsh nga vdekja e të birit, familja e Astrit Dehari kishte kërkuar që ekspertizën për rastin ta kryejë Qendra e Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës.

Kuvendi i Kosovës, kishte diskutuar për këtë rast duke e inkurajuar Prokurorinë që ekspertiza të dërgohej jashtë Kosovës. Me 17 maj, 2017, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri kishte konfirmuar para Kuvendit se kjo lëndë do të dërgohej në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës.

Instituti i Zvicrës publikoi raportin mbi vdekjen e Deharit më 24 tetor të vitit 2018.

Në konkluzionet e raporti përfundimtar thuhet se “në fakt hipoteza e një vetëvrasjeje e z. Dehari Astrit, përmes mjeteve të caktuar nga mjekët ligjorë duket pak e vërtetë dhe intervenimi i një personi të tretë duhet të kihet parasysh”.

Të Ngjajshme

Agim Çeku nesër intervistohet në Hagë

admin

Qetësohet situate me koronavirusi në Kosovë, këto janë shifrat aktuale

admin

A po mbyllet për herë të dytë Europa për shkak të Covid-19?

admin

Leave a Comment