January 31, 2023
Portali Shprehja

Republikanët nisin hetimet e premtuara ndaj familjes Biden

Republikanët, të cilët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve në Kongresin amerikan, hapën të mërkurën hetimet e premtuara prej kohësh ndaj Presidentit Joe Biden dhe familjes së tij. Ata pritet të kërkojnë të dhëna nga Departamenti i Thesarit dhe ish drejtuesit e rrjetit Twitter ndërsa hedhin bazat për seancat dëgjimore publike.

“Tani që demokratët nuk kontrollojnë gjithçka në Uashington, po rikthehet mbikëqyrja dhe llogaridhënia”, u shpreh përmes një deklarate republikani James Comer i cili drejton Komisionin për Mbikëqyrjen dhe Reformën.

Komisioni i udhëhequr nga republikanët i dërgoi Departamentit të Thesarit një seri kërkesash lidhur me transaksionet financiare nga anëtarë të familjes Biden që kishin ngritur shqetësime për aktivitete të dyshimta.

Këto raporte janë rutinë, ndërkohë që transaksionet me shuma të mëdha parashë ngrenë alarmin në mënyrë automatike, dhe në vetvete nuk përbëjnë prova për aktivitete të paligjshme.

Ligjvënësit gjithashtu po kërkojnë dëshmi nga shumë ish-drejtues të rrjetit Twitter, të përfshirë në mënyrën se si rrjeti social e trajtori lajmin e gazetës “New York Post” tetorin e vitit 2020 lidhur me zotin Hunter Biden, djalin e vogël të presidentit. Republikanët thonë se lajmi u bllokua për arsye politike.

Menjëherë pas marrjes së kontrollit të Dhomës së Përfaqësuesve, republikanët po hedhin hapat drejt një ballafaqim politik shpërthyes me Shtëpinë e Bardhë, që mund të rrëmojë thellë në punët e familjes së presidentit dhe t’u japë formë kontureve të garës presidenciale të vitit 2024.

“Në javën e parë si shumicë, republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve nuk kanë ndërmarrë ndonjë veprim domethënës për të adresuar inflacionin dhe uljen e kostos për amerikanët, megjithatë ata po ndërmarrin veprime politike të nxitura nga anëtarët më ekstrem në përpjekje për të tërhequr vëmendjen në Fox News” , tha përmes një deklarate zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Ian Sams.

Departamenti i Thesarit nuk pranoi të komentonte.

James Comer, ligjvënës republikan i shtetit Kentaki, u tha gazetarëve se ka “pikëpyetje shqetësuese”, veçanërisht në lidhje me marrëdhëniet e biznesit të zotit Hunter Biden dhe një prej vëllezërve të presidentit, James Biden, që kërkojnë hetim të thellësishëm.

Hetimet e republikanëve për familjen Biden nuk janë diçka e re. Prej një viti ligjvënësit republikanë dhe ekipet e tyre kanë analizuar mesazhet dhe transaksionet financiare të gjetura në një laptop që i përkiste zotit Hunter Biden.

Aktualisht, republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve kanë fuqi ligjore detyruese për thirrjen e dëshmitarëve dhe për të kryer një hetim shumë të detajuar.

Republikanët kanë diskutuar lëshimin e fletëthirrjeve për subjektet e huaja që zhvillonin biznes me zotin Hunter Biden. Djali i presidentit aktualisht ndodhet nën hetime federale për taksa dhe bizneset e huaja.

Zoti Hunter Biden nuk ka patur asnjëherë ndonjë post në fushatën presidenciale apo Shtëpinë e Bardhë. Por të qënit anëtar bordi i një kompanie energjitike ukrainase dhe përpjekjet për marrëveshje biznesi në Kinë, kanë ngritur pikëpyetje prej kohësh nëse ai e shfrytëzonte pushtetin e babait të tij.

Presidenti Joe Biden ka thënë se ai nuk ka folur kurrë me djalin lidhur me biznesin e tij me vendet e huaja. Dhe nuk ka të dhëna se presidenti përfshihet në hetimet federale./VOA

Të Ngjajshme

“Poshtë Zajednica”, protesta kundër formimit të Asociacionit

admin

Rusia nis sulme të reja në lindje të Ukrainës

admin

Lufta kundër korrupsionit, Shqipëria asnjë përparim

admin

Leave a Comment