12.1 C
Skopje
March 15, 2019
Feja Islame

Sa vite ka jetuar Nuhu (paqja e Allahut qoftë mbi të!)

Pyetja: A ka jetuar Nuhu (paqja qoftë mbi të!) për 950 vjet, dhe pse thuhet në Kur’an se ai ka jetuar njëmijë vjet (seneh) pa pesëdhjetë vjet (‘am)? A ka dallim ndërmjet fjalëve seneh dhe ‘am (që të dyja nënkuptojnë “vit”)?

Përgjigjja: Të gjitha lavd-falënderimet janë vetëm për Allahun!

Ekzistojnë mësime të rëndësishme të cilat mund që të mësohen nga jeta e Nuhut (paqja e Allahut qoftë mbi të!).

Ai ka jetuar shumë shekuj të cilat i ka kaluar me popullin e tij, duke i thirrur tek Allahu, i Lartësuar qoftë, duke ndjerë dhembshuri për ta, që Allahu mos t’i dënojë, duke shpresuar që Ai do t’u dhurojë mëshirën e Tij. Ai asnjëherë nuk u ndje i pashpresë as nuk kishte dëshirë për t’u dorëzuar; madje, ai shpresonte se Allahu do t’i udhëzonte ata në duart e tij, pa marrë parasysh sa gjatë do të merrte. Vitet e jetës së tij ofrojnë mësime për thirrësit, mësuesit dhe edukatorët për durimin, vendosmërinë dhe besimin.

Jeta e tij ofron mësime për të gjithë njerëzit, ashtu që, ata të kuptojnë se vdekja pashmangshëm do të vie, pa marrë parasysh sa gjatë jeton njeriu, dhe se jeta e njeriut nuk është më shumë se një varg ditësh të cilat përfundojnë me perëndimin e çdo dite. Kështu për të konkluduar tregimin e shpirtit të tij në atë që i është dhënë si një mundësi për të arritur lumturi të përhershme në Parajsë; andaj, çfarë fitore është kjo nëse është përpjekur për të fituar lumturi, dhe çfarë humbje nëse dështoi dhe ishte i shkujdesur.

Ibën Ebi’d-Dunja rrëfen në ez-Zuhd (nr. 358) me zinxhirin nga Enes ibën Malik (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se ai ka thënë:

Engjëlli i vdekjes erdhi tek Nuhu (paqja e Allahut qoftë mbi të!) dhe i tha: O më jetëgjati nga Profetët, si e gjete këtë botë dhe kënaqësitë e saj? Ai i tha: “Sikurse një njeri i cili ka hyrë në një dhomë me dy dyer, dhe ai qëndron në mes të dhomës për një çast të shkurtër, pastaj, ai del nga dera tjetër”. Mbaroi citimi.

Musliman i zgjuar është ai i cili u kushton vëmendje këtyre mësimeve dhe zhvillon vendosmërinë dhe angazhimin që të përpiqet. Ai nuk duhet që të preokupohet me detajet e historisë për të cilat shpallja nuk i ka shpjeguar dhe për të cilat nuk ka dëshmi të qartë apo argument sheriatik.

Këtu përfshihet edhe të pyeturit për moshën e Nuhut (paqja e Allahu qoftë mbi të!). Ekzistojnë disa mendime të dijetarëve sa i përket kësaj çështje në mesin e gjeneratave të para të Sahabeve dhe Tabi’inëve, por, nuk ka asgjë të dëshmuar sa i përket kësaj çështje në Kuran apo Sunnet, ashtu që, ne të jemi të sigurt se njëri nga këto mendime është i saktë. Megjithatë, ne do të citojmë disa nga këto pikëpamje këtu për hir të shtimit të diturisë rreth asaj që rrëfehet në librat e gjeneratave të para:

1. 950 vjet. Kjo ka qenë pikëpamja e Katades.

Thuhet në Tefsir el-Kur’an el-‘Adhim nga Ibën Kethir (6/268):

Katadeh, ka thënë: Është thënë se e tërë jetëgjatësia e tij ishte njëmijë pa pesëdhjetë vjet. Ai ka qëndruar në mesin e tyre për 300 vjet përpara se ta fillojë thirrjen e tij, dhe ai i thirri ata për treqind vjet, dhe pas Përmbytjes, ai ka jetuar edhe për treqind e pesëdhjetë vjet të tjera. Mbaroi citimi.

Thënie e ngjashme është rrëfyer nga Ibën Ebi Hatim në et-Tefsir, nr. 18041

2. 1050 vjet. Kjo ka qenë pikëpamja e Ibën Abbasit.

Rrëfehet nga Ibën Abbasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se ka thënë:

Allahu e ka dërguar Nuhun (si Profet, Lajmëtar) kur ai ka qenë dyzet vjet, dhe ai ka qëndruar në mesin e tyre për njëmijë pa pesëdhjetë vjet, duke i thirrur për tek Allahu; pas Përmbytjes, ai ka jetuar për edhe gjashtëdhjetë vjet të tjera, derisa njerëzit u shtuan dhe u shpërndanë. Mbaroi citimi.

Në ed-Durr el-Menthur (6/455), es-Sujuti ia ka atribuuar këtë Ibën Ebi Shejbes (7/18), ‘Abd ibën Humejd, Ibën el-Mundhirit, Ibën ebi Hatimit, Ebu’sh-Shejh, el-Hakim (9/251), i cili e ka klasifikuar si autentik, dhe Ibën Merdevejh.

3. 1020 vjet. Kjo ka qenë pikëpamja e Ka‘b el-Ahbar.

Ibën Ebi Hatim rrëfen në Tefsirin e tij (nr. 18043): Ebu Zur‘ah na ka treguar: Safuani na ka treguar: el-Uelidi na ka treguar: Ebu Rafi‘ Isma‘il ibën Rafi‘u na ka treguar: nga Zejd ibën Eslem, nga ‘Ata ibën Jesar, nga Ka‘b el-Ahar, sa i përket fjalëve të Allahut, “…e ai kaloi ndër ta njëmijë vjet pa pesëdhjetë vet…” [el-‘Ankebut (29):14]: Pas kësaj, ai ka jetuar edhe për shtatëdhjetë vjet të tjera.

4. 1400 vjet. Kjo është rrëfyer nga Ibën Abbasi, dhe gjithashtu, ka qenë pikëpamja e Vehd ibën Munebbihut

Shih: Tefsir el-Kurtubi, 13/332

5. 1650 vjet. Kjo ka qenë pikëpamja e ‘Aun ibn Ebi Sheddad

Rrëfehet se Aun ibn Ebi Sheddad, ka thënë:

“Allahu, i Bekuar dhe i Lartësuar qoftë, e ka dërguar Nuhun tek njerëzit e tij kur ai ka qenë treqind e pesëdhjetë vjet, duke i thirrur ata për njëmijë vjet pa pesëdhjetë. Pastaj, ai ka jetuar edhe për treqind e pesëdhjetë vjet”.

Shënuar nga Ibën Ebi Hatim në Tefsir (nr. 18044); et-Taberi në Xhami’ el-Bejan, 20/17.

6. 1700 vjet. Kjo ka qenë pikëpamja e Ikrimes

Rrëfehet se Ikrimeh (Allahu qoftë i kënaqur me të!), ka thënë:

“Mosha e Nuhut (paqja e Allahut qoftë mbi të!) duke përfshirë kohën përpara se të dërgohej tek populli i tij dhe pas dërgimit te ata, ishte njëmijë e shtatëqind vjet”. Mbaroi citimi.

Në ed-Durr el-Menthur (6/456), es-Sujuti ia ka atribuuar atë ‘Abd ibn Humejd.

Ibën Kethiri ka thënë në Tefsir el-Kur’an el-Adhim (6/268), duke përmendur se pikëpamjet e mëparshme janë të çuditshme: “Pikëpamja e Ibën Abbasit duket të jetë më e mundshme (që të jetë e saktë)”. Mbaroi citimi.

Së dyti:

Komentuesit, gjithashtu, kanë dalluar sa i përket arsyes prapa përdorimit të fjalëve “seneh” dhe “‘am” (që të dyja kanë kuptimin “vit”). Ekzistojnë dy mendime:

“ue lekad erselna Nuhan ila kaumihi felebithe fihim elfe senetin il-la khamsine ‘amen…” (Ankebut, (29): 14)

1.

Disa nga komentatorët mendojnë se ky dallim ka vetëm një arsye stilistike, sepse përsëritja e së njëjtës fjalë është e rëndë në gjuhë, andaj, një fjalë e ndryshme është përdorur herën e dytë, pra, fjala “‘am”, që ta bëjë më të lehtë.

Ez-Zamakhsheri, ka thënë në el-Keshshaf:

“Nëse thua: pse është përdorur fjala “seneh” herën e parë dhe fjala “‘am” të dytën? Do të përgjigjesha duke thënë se përsëritja e të njëjtës fjalë në një frazë të vetme duhet që të shmanget për interes të elokuencës, përderisa të bëhet për ndonjë qëllim, sikurse theksimi, zmadhimi apo nënvizimi i ndonjë kuptimi, dhe ngjashëm”. Mbaroi citimi.

Diçka ngjashëm përmendet edhe në et-Tahrir ue’t-Tenvir, 20/146

2.

Fjala “seneh” (vit) përdoret për të theksuar vështirësinë e viteve që Nuhu (paqja e Allahut qoftë mbi të!) i kaloi duke e thirrur popullin e tij. Ato ishin vite të pakicës sa i përket mirësisë, shiut dhe bekimeve (barakeh), dhe sa i përket vështirësisë, që Nuhu (paqja e Allahut qoftë mbi të!) i ka ndeshur duke e thirrur popullin e tij, sepse ata u përgjigjën duke u larguar dhe duke e keqtrajtuar. Pastaj, pas vërshimit dhe shkatërrimit të kufrit në Tokë, ai kaloi vite në bollëk dhe rahati. Arabët i referohen periudhës së thatësisë dhe urisë si “seneh” dhe periudhës së rahatisë dhe bollëkut si “‘am”.

Er-Ragib el-Asfahani ka thënë në Mufredat Elfaz el-Kur’an (2/140):

“‘Am është e ngjashme me “seneh” (sepse që të dyja nënkuptojnë “vit”), por, fjala “seneh” shpesh përdoret për t’iu referuar vitit në të cilin ka shumë vështirësi apo thatësi. Prandaj, thatësia quhet “seneh”. Fjala “‘am” i referohet vitit në të cilin ka rahati dhe bollëk.

Allahu thotë (shpjegimi i kuptimit):

“Mandej, pas asaj vjen një vit (‘am) në të cilin njerëzve u bie shi dhe në të cilin do të kenë të vjela (vit i begatshëm në përgjithësi)”.

[Jusuf (12):49]

“…e ai kaloi ndër ata njëmijë vjet (seneh) pa pesëdhjetë vjet (‘am),…”

[el-‘Ankebut (29):14].

Burhan ed-Din el-Bika‘ika, thënë në Nezm ed-Durar (14/404):

“Fjala “seneh” përdoret për t’iu referuar në një mënyrë negative ditëve të kufrit (mosbesimit)… dhe Ai ka thënë: “‘am” për të theksuar faktin se pasi që ata (jobesimtarët) u përmbytën, jeta e Nuhut u bë e rehatshme për shkak të besimit të besimtarëve dhe bollëkut të Tokës”. Mbaroi citimi.

Imam ez-Zarkashi, ka thënë diçka të ngjashme në el-Burhan fi ‘Ulum el-Kur’an, 3/386

Disa nga dijetarët i kanë vendosur këto dy mendime së bashku sepse nuk ka arsye se pse këto dy mendime nuk mund që të konsiderohen si plotësuese. Kur të vie tek opinionet e komentatorëve- përderisa ato nuk e kundërshtojnë njëra tjetrën- ato që të gjitha mund që të pranohen, e cila është më e preferuar sesa refuzimi i disa prej tyre.

Ibën Adili, ka thënë në el-Lubab, 12/429:

“Këtu i kushtova vëmendje një çështje delikate, se fjalë të ndryshme për “vit” përdoren. Në rastin e parë thuhet “seneh” dhe në të dytin thuhet “‘am”, ashtu që, formulimi mos të jetë shumë i rëndë (dhe që fjalët të rrjedhin më lehtë në gjuhë). Për më tepër, fjala “‘am” përdoret veçanërisht sa u përket këtyre pesëdhjetë vjetëve, për të theksuar se kur Profeti i Allahut (bekimet dhe paqja e Allahut qoftë mbi të!) i hoqi qafe, ai shijoi kohë të mira pastaj. Arabët i referohen bollëkut duke thënë “‘am” dhe thatësisë duke thënë “seneh”. Mbaroi citimi.

Shikoji gjithashtu edhe përgjigjjet tek pyetjet nr. 10470 dhe 10551

Dhe Allahu e di më së miri!

Artikuj të ngajshëm

Ajni-Syri

shprehja

Pse thotë Allahu i Lartësuar: “Agjërimi është për Mua” ?

Redaksia Shprehja

E JOTJA ËSHTË VETËM AJO QË E JEP (Tregim mbresëlënës për Ramazan)

shprehja