Samuel Eto’o përfshihet në një betejë ligjore kundër vajzës së tij, Erika do Rosario Nieves. 22-vjeçarja Erika u njoh nga gjykata në shkurt të 2022 si vajza biologjike e ish-sulmuesit të Barcelonës dhe Interit. Sipas raportimeve, Erika do Rosario tani po kërkon dënim me një vit burg për shefin e futbollit të Kamerunit për mospagesë të detyrimeve të rritjes së vajzës së tij.
Sipas një raportimi nga “El Diario de Sevilla”, Samuel Eto’o dyshohet se ka neglizhuar disa pagesa që do të arrinin në 90.000 euro. “Ai i detyrohet më shumë se pesë vite ‘pension’ vajzës së tij dhe vazhdon të sfidojë drejtësinë. Ekonomia e Erika është e brishtë, ndërsa Eto’o jeton në luks”, – thotë Fernando Osuna, avokati i vajzës së Eto’o, në deklaratat e mbledhura nga media e përmendur më lart.
Pala mbrojtëse e vajzës së Eto’o kërkon zbatimin e “faktorëve rëndues të recidivizmit dhe abuzimit të autoritetit, duke pasur parasysh epërsinë që ka ndaj së resë”. Fernando Osuna e konsideron gjithashtu “të çuditshëm” faktin që Samuel Eto’o, i cili është një nga futbollistët më të pasur afrikanë në botë, mund të marrë ndonjë nga postet publike për të cilat aspiron në vendin e tij, duke pasur parasysh prejardhjen.
Në përmbledhjen e përgatitur nga avokati ekspozohen edhe rekordet e ndryshme penale të ish-futbollistit afrikan. Kujtojmë se Eto’o tashmë është dënuar me një vit e 10 muaj burg për një kundërvajtje tatimore në territorin spanjoll dhe gjobë financiare për mospagimin e ushqimit të një vajze tjetër të lindur jashtë martese.
Pas katër vitesh beteje, Érika do Rosario, e cila u regjistrua si Erika Eto’o Do Rosario, u shpall më në fund si vajza biologjike e Samuel Eto’o. Vendimi gjyqësor erdhi në vitin 2022, pas refuzimeve të shumta nga ish-sulmuesi kamerunas për t’iu nënshtruar testeve të ADN-së.
Gjyqtari më vonë caktoi një ‘pension’ prej 1.400 € në muaj për vajzën e re, gjë që nuk u krye kurrë. Sipas “Dario AS”, vajza e Eto’o, Erika do Rosario Nievers, lindi në vitin 1999 në spitalin “Alarcón Foundation” në Madrid për shkak të një lidhjeje mes kamerunasit dhe një gruaje të njohur si Adileusa do Rosario.
Nëna e së resë pohon se, kur ish-futbollisti e mori vesh lajmin, e akuzoi atë se “po përpiqej të merrte pasurinë e tij” dhe dyshohet se e kërcënoi “të ndërpriste shtatzëninë”.
.
1 comment
fj6cmx