Serbia të shtunën e ka promovuar edhe zyrtarisht një pjesë të armatimit që e ka pranuar javë më parë. Në një demonstrim të përbashkët të forcave ajrore, tokësore dhe sistemeve raketore, shteti serb e shfaqi para syrit të publikut armatimin që ka ardhur tash së fundi, dhe gjithë arsenalin e veçantë të blerë më kohë më parë.
Pas konfliktit në Ukrainë, dhe tensionimit të situatës në Ballkan, Serbia ka vendosur që të vazhdojë me rritjen e trysnisë në rajon dhe të kërkojë blerje të armatimit nga shteti i Kinës, por edhe disa aeroplan lufte nga Franca, e cila porosi do t’i vie më vonë. Veprimet e tilla kanë ngjallur reagime të shumta edhe në disa nga shtetet e rajonit, të cilat thonë se ndihen të kërcënuara nga veprimet e fundit të Serbisë.
Historikisht shteti serb, ka qenë akteri kryesor i luftërave dhe gjenocideve në Ballkan, përfshirë luftërat e fundit nga Sllovenia, Kroacia, Bosnja dhe Kosova, në tri vendet e fundit shkaktoi edhe gjenocid.
Serbia pa neutralitet
Për shkak të armatosjeve të vazhdueshme të saja, veçmas pas blerjes së fundit, kanë reaguar edhe SHBA-ja dhe BE-ja duke vënë në pah, se ajo po ecën kundër rrjedhës, dhe se armatimet e ndryshme, janë të gabueshme, pasi vendet e NATO-s, kanë thuajse armatim të njëjtë, kjo edhe për të përshkruar kursin politik që po e ndjek Serbia, pra kundër unitetit perëndimor.
Në një situatë të tillë, është krejtësisht normale që të shtrohet pyetja: Nga kush po frikësohet Serbia dhe a është vërtetë e kërcënuar që të rrisë sasinë e armatimit?
Pyetje kjo që ka qarkulluar dhe ende vazhdon të jetë temë e debateve të ndryshme.
Njohësi i çështjeve politike dhe ligjëruesi universitar, Milazim Krasniqi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se Serbia nuk po e respekton neutralitetin dhe çdo herë e më shumë po anon ka shtetet si Rusia dhe Kina.
“Serbia e ka të rregulluar mirë statutin e neutralitetit, sa i përket pozicionit të saj karshi NATO-s dhe shteteve që nuk janë pjesë e saj, por deri sot ne vetëm neutralitet nuk kemi parë nga kjo e fundit. Pozicionimi krah Rusisë dhe Kinës tash së fundmi me blerjen e armëve, janë tregues se shteti serb, vazhdon të jetë i orientuar nga Lindja dhe jo nga Perëndimi”, thotë Krasniqi.
Sipas tij Serbia e ka për qëllim që të krijojë destabilitet në rajon dhe se nuk është e kërcënuar nga asnjë shtet.
“Serbia është humbëse e katër luftërave, kjo ka shkaktuar edhe dëme të shumta në aspektin ushtarak. Intervenimi i NATO-s ia ka shkatërruar shumë armë dhe deponi. Në aspektin e sigurisë, nuk ka arsye të mendohet se Serbia ka qenë e frikësuar apo e kërcënuar nga vendet e rajonit, e që do mund të shërbente si arsyetim për këtë investim shtesë në forcimin e ushtrisë. Qëllimi i saj i vetëm është që ta krijojë një situatë të tensionuar, por që fatmirësisht nuk do të ketë ndonjë efekt të madh sepse fuqia e Serbisë karshi NATO-s është thuajse inekzistente”, thotë Krasniqi.
Serbia kundër Perëndimit, me armët ruso-kineze
Ligjëruesi Milazim Krasniqi për më tepër ka shtuar se një Serbi e armatosur i konvenon më së shumti Rusisë sepse historikisht shteti i Serbisë ka qenë një dorë e zgjatur e Rusisë në Ballkan.
Ndërsa, analisti politik, Avni Zogiani, thotë se Serbia është duke e shfrytëzuar mungesën e seriozitetit në Ballkan, por edhe për të fuqizuar pozitën e saj në rajon.
“Serbia dhe Vuçiqi janë duke e shfrytëzuar mungesën e seriozitetit të politikanëve tjerë në Ballkan dhe po krijon vëmendje e besa edhe po ngritet ndikimi i saj në arenën ndërkombëtare. Politikanët shqiptar dhe sidomos Kryeministri i Shqipërisë i kanë krijuar Vuçiqit hapësirë manovrimi duke qenë se nuk gjykohet destruktiviteti i Serbisë si shtet dhe liderit të saj kërcënues”, thotë Zogiani për gazetën “Bota sot”.