September 28, 2022
Portali Shprehja

SHBA e analizon me “seriozitet” kërcënimin bërthamor të Putinit

Shtetet e Bashkuara janë duke analizuar me “seriozitet” kërcënimet e presidentit rus, Vladimir Putin, për përdorim të armëve bërthamore për të mbrojtur rajonet në Ukrainë, ka thënë John Kirby, zëdhënës i Këshillit për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë.

Megjithatë, ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk janë duke ndryshuar “pozicionin strategjik parandalues”, dhe se Putin ka folur në mënyrë të papërgjegjshme.

Të mërkurën, lideri rus ka paralajmëruar se shteti i tij do të përdorë të gjitha mjetet që ka në dispozicion për të mbrojtur territorin e vet.

Kjo deklaratë ka ardhur teksa rajonet ukrainase, që kontrollohen pjesërisht nga forcat ushtarake ruse, kanë nisur të ashtuquajturat referendume për t’iu bashkuar Rusisë.

Ukraina dhe aleatët e saj i kanë konsideruar këto votime si mashtruese, dhe se përmes tyre Rusia po synon të fitojë legjitimitet.

“Është precedent i rrezikshëm për Putinin që të përdorë këtë lloj retorike në kontekstin e një lufte që është duke e humbur brenda Ukrainës”, ka thënë Kirby për transmetuesin britanik, BBC.

“Ne duhet t’i trajtojmë këto rreziqe me seriozitet. Ne kemi qenë duke kryer monitorime, aq sa kemi mundur, për të parë kapacitetet e tij bërthamore, dhe mund të them se ne nuk shohim ndonjë indikacion që duhet të ndryshojmë pozicionin tonë parandalues në këtë pikë”.

Ai i ka konsideruar planet e presidentit të Rusisë për aneksim të disa pjesëve të Ukrainës si “asgjë më shumë sesa manovrime të Putinit që të tentojë sërish, përmes politikës dhe çështje zgjedhore, të fitojë atë që nuk po mundet përmes mjeteve ushtarake”.

“Mirëpo nuk do të funksionojë”, ka thënë ai.

“Askush nuk do t’i njohë ato. Ajo çfarë duhet të ndodhë është që Putin të largohet nga Ukraina. Ai duhet t’i japë fund kësaj lufte”.

Presidenti Putin, ka shpallur më 21 shtator mobilizim të pjesshëm të rezervistëve ushtarakë për luftën në Ukrainë.

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, ka thënë në një intervistë televizive se do të mobilizohen 300.000 rezervistë me përvojë përkatëse ushtarake.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Vetë Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Të Ngjajshme

BE i jep afate Vuçiqit për marrëveshje me Kosovën dhe sanksionet ndaj Rusisë

admin

Shqiptari që u plagos nga policia greke, drejtues i bandës kriminale

admin

Ish-krerët e Shqipërisë dhe Kosovës në Hagë, në mbështetje të ish-drejtuesve të UÇK-së

admin

Leave a Comment