September 21, 2020
Portali Shprehja

“SHBA-ja nuk ka plan sekret për Kosovën dhe Serbinë”

Ende nuk është vendosur nëse presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, do të marrë pjesë në takimin mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator, tha në kushte anonimiteti, një këshilltar i lartë i presidentit amerikan, gjatë një bisede me gazetarë.

“Ende nuk është përcaktuar nëse presidenti do të marrë pjesë fizikisht në këto takime”, tha zyrtari amerikan, duke shtuar se presidenti Trump, tashmë është në dijeni të asaj për të cilën pala amerikane është e interesuar, e që është vendosja e projekteve ekonomike si prioritet.

Ai deklaroi se Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë plan sekret, kur bëhet fjalë për negociatat midis Kosovës dhe Serbisë.

“Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë plan sekret; ne nuk kemi asgjë për të kërkuar. E vetmja gjë që do të kërkojmë është që nëse ata duan ndihmë nga SHBA-ja, nëse duan zhvillim, atëherë ata kanë nevojë për përparim në fushën ekonomike. Ne nuk duam të humbasim paratë tona”, tha ai.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të takohen më 4 shtator në Uashington, me ftesë nga Këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brein.

Zyrtari i lartë i administratës amerikane këmbënguli se temat e bisedës do të jenë të natyrës ekonomike, duke përmendur çështjen e hekurudhave, linjës ajrore dhe autostradave midis dyja vendeve.

“Ne jemi të përqendruar kryesisht në zbatimin e marrëveshjeve për të cilat kemi rënë dakord tashmë – për linjën ajrore, hekurudhën dhe autostradën. Këto marrëveshje do të na lejojnë të ndërtojmë zhvillimin ekonomik “, tha ai, duke shtuar se këto marrëveshje, të cilat nuk janë zbatuar ende, do të diskutohen këtë javë.

Bisedimet, sipas tij, do të mbahen të enjten dhe të premten.

“Do të kemi një diskutim të enjten, do të shohim se çfarë do të ndodhë. Nëse palët janë të interesuara të bien dakord mbi zhvillimin ekonomik, Shtetet e Bashkuara e dinë se si ta bëjnë këtë dhe ne jemi të gatshëm të ndihmojmë”, tha ai.

“Ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë të premten. Kjo është art, jo shkencë. Ne duhet të shohim pozicionin e të dyja palëve, nëse ata janë të gatshëm të kalojnë në zhvillimin ekonomik, në mënyrë që të tërheqë bizneset dhe industrinë amerikane dhe evropiane”, shtoi zyrtari i lart amerikan.

Zyrtari i administratës amerikane gjithashtu tha se tema e shkëmbimit të territoreve nuk do të diskutohet, sepse, sipas tij, këto nuk janë tema që lidhen me zhvillimin ekonomik.

“Shtetet e Bashkuara ua lënë në dorën e palëve këto diskutime. Sërish e them, për ta bërë më të qartë, unë kurrë nuk kam qenë pjesë e këtyre diskutimeve. Diskutimet kanë qenë vetëm ekonomike, dhe kjo është ajo që po përqendrohemi, pra në normalizimin ekonomik”, tha ai.

Megjithatë, sipas tij, bisedimet do të zhvillohen për “çdo çështje” për të cilën palët bien dakord.

“Ne do të testojmë nëse ekziston dëshira nga ana e palëve për të folur në lidhje me këto çështje. Mendoj se do të paraqesim pothuajse çdo çështje, por do të varet nga ata nëse duan të shkojnë më tej”, tha ai.

Në pyetjen e Radios Evropa e Lirë për të komentuar deklaratën e presidentit amerikan, Donald Trump, në letrën dërguar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, më 2018 ku thotë se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të “ndihmojnë në përpjekjet për të arritur një marrëveshje që do të balancoj interesat e Kosovës dhe Serbisë”, dhe nëse kjo nënkupton një lloj kompromisi, zyrtari amerikan tha se “disa fjalë nuk duhen analizuar shumë”.

“Nuk ka asnjë kuptim sekret për fjalën balancë, kjo thjesht do të thotë ‘e drejtë’. Ne nuk kemi një plan sekret, nuk ekziston ndonjë diskutim për atë fjalë. Kjo thjesht nënkupton atë nëse palët do të bien dakord për diçka. Palët do të nënshkruajnë diçka që ata mendojnë se është e drejtë, dhe do të thosha të ekuilibruar”, tha ai.

Sipas tij, “nëse palët mendojnë se diçka është e balancuar, nëse palët mendojnë se po marrin diçka, më shumë sesa ajo nga e cila heqin dorë, atëherë ata do të nënshkruajnë”.

“Vendimi ynë është të nxisim të dyja palët dhe të themi atë që është e rëndësishme – zhvillimi ekonomik dhe vendet e punës për të rinjtë”, shtoi zyrtari i lartë i administratës amerikane.

Të Ngjajshme

Hoti: Vizita e delegacionit amerikan e thellon miqësinë Kosovë-SHBA

admin

Dritan Abazoviqi ‘kacafytet’ keq me proserbët

admin

Mbi 31 milionë të infektuar me COVID-19

admin

Leave a Comment