August 11, 2022
Portali Shprehja

Shefi i NATO-s: Bota do të jetë një vend më i rrezikshëm, nëse Rusia fiton luftën në Ukrainë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha të enjten se aleanca ushtarake perëndimore ka si detyrë të përbashkët të mbështesë Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë, si dhe të parandalojë përhapjen e konfliktit në një luftë mes Rusisë dhe NATO-s.

Duke folur në një kamp veror në vendin e tij të lindjes, Norvegji, zoti Stoltenberg tha se aleanca ka përgjegjësinë morale që të mbështesë Ukrainën dhe popullin e saj që ndodhen nën agresionin rus.

Po shohim akte lufte, sulme ndaj civilëve dhe shkatërrime që nuk janë parë që nga Lufta e Dytë Botërore”, tha zoti Stoltenberg, sipas një njoftimi të NATO-s. “Nuk mund të jemi indiferentë ndaj kësaj”, shtoi ai.

Zoti Stoltenberg tha se bota do të jetë një vend më i rrezikshëm nëse Presidenti rus Vladimir Putin merr atë që dëshiron përmes përdorimit të forcës ushtarake.

Nëse Rusia fiton këtë luftë, për (Putinin) do të ishte pohim se dhuna funksionon. Pastaj radha mund të jetë e vendeve të tjera fqinje“, tha ai.

Ushtria e Ukrainës njoftoi të enjten se forcat ruse po bombardonin zona të shumta në Ukrainë, përfshirë ato rreth Karkivit, Slovianskut dhe Çernihivit.

 

.

Të Ngjajshme

38 vite nga medalja e artë e Shaban Trstenës në Lojrat Olimpike

Europa do të zgjerojë vaksinimin kundër lisë së majmunit

Shqipëria i lufton zjarret me pajisje 50 vjet të vjetra

Leave a Comment