Ka ardhur dita e gjykimit (të ri). Gjyqi për fitimet kapitale ndaj Juventusit filloi para Gjykatës Federale të Apelit pak pas orës 10:00. Ky gjyq sheh klubin bardhezi dhe ish-drejtuesit e tij mes të akuzuarve.
Në fakt, “Collegio di Garanzia” pranoi vetëm pjesërisht ankesën e paraqitur nga klubi i Juventusit për 15 pikët e zbritura nga renditja, penalizim i marrë në fillim, duke e referuar gjykimin në Gjykatën e Apelit për një ndryshim të dënimit.
Ndjenja e fortë është se Juventusi në fund do të duhet të kryejë sërish një dënim me heqje pikësh, gjë që do ta rrezikonte të rrëshqiste në renditje, duke i hequr mundësinë e pjesëmarrjes në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.
Seanca e sotme po mbahet në distancë dhe u hap me aktakuzën e prokurorit federal Chinè, i cili kërkoi dënim me zbritjen e 11 pikëve dhe 8 muaj pezullim për ish-drejtuesit bardhezinj Pavel Nedved, Paolo Garimberti, Assia Grazioli-Venier, Caitlin Mary Hughes, Daniela Marilungo, Francesco Roncaglio dhe Enrico Vellano.
Juventusi nga ana e vet është mbrojtur përmes avokatëve Bellacosa, Sangiorgio dhe Tortorella. Rreth orës 12:50 përfundoi seanca. Më pas, gjyqtarët, të gjithë të rinj në krahasim me ata të dënimit të mëparshëm, u mblodhën në dhomë këshillimi.
Vendimi përfundimtar pritet në orët e vona të pasdites së sotme, por nuk përjashtohet që të shtyhet për të martën, edhe për shkak se Juventusi do të dalë sonte në fushë ndaj Empolit.
.