November 26, 2022
Portali Shprehja

Shqipëri/ Energji në kohë krize nga termocentrale lundruese

Dy termocentrale lundrues, që kanë hedhur tanimë spirancat e tyre në Gjirin e Vlorës, në detin Jon, do të fillojnë të prodhojnë në 1 janar 2023, 15 përqind të sasisë së energjisë vjetore që i duhen ekonomisë dhe familjeve në Shqipëri. Sipas ekspertëve vendas energjia e prodhuar nga dy termocentralët lundrues, të marrë me qira për 2 vjet nga kompania amerikane “Excelerate Energy,” do të ketë një kosto tri herë më të ulët sesa e njëjta sasi e importuar.

Lufta në Ukrainë, kriza energjitike nga reduktimi drastik prej Rusisë i furnizimit të Europës me gaz natyror, parashikimet për një dimër me reshje të pakta shiu dhe dëbore, rritja stratosferike e ꞔmimit të energjisë në tregjet europiane dhe botërore janë sinjale të qarta edhe për Shqipërinë që parathonë vështirësi të pazakonta të furnizimit me energji. Në këtë kontekst, qeveria Rama vendosi në fillim të këtij muaji rritjen e ꞔmimit të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë për tre muajt e fundit të këtij viti: duke filluar nga kjo e shtunë, (01.10) ata do të  paguajnë 4, 5 herë më shumë për 1 KW/orë nëse konsumojnë më shumë se 800 KW/orë në muaj. Por të premten (30.09) kryeministri  Rama njoftoi se qeveria vendosi që vendimi për rritjen e çmimit të energjisë mbi konsumimin e 800 KW/orë në muaj të mos hyjë në fuqi “nisur nga reshjet dhe kursimi i energjisë”.

Arbër Avrami, drejtor Ekzekutiv i AIbgaz, thotë për DW se “me dy termocentralet lundrues Shqipëria ka mundësuar sigurimin e një zgjidhjeje tejet të vlefshme në përballimin e sfidave imediate që ka prodhuar kriza energjetike. Me kapacitet 110 MW/orë dhe me potencial për të prodhuar jo më pak se 867 GW në vit, këto terminale lundruese ofrojnë një mundësi të mirë për përballimin e krizës energjetike globale që pritet të agravohet gjatë dimrit të ardhshëm.”

Gjermania dhe termocentralet lundrues

Sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Energjetikës dhe Infrastrukturës numri i anijeve-termocentrale lundrues- është i kufizuar në nivel global. Kompania amerikane “Excelerate Energy” ka vetëm 10 të tilla, dy prej të cilave janë ato që kanë mbërritur në Gjirin e Vlorës. Në kushtet e krizës globale energjetike kërkesa për termocentralët lundrues sa vjen dhe po rritet.

“Edhe vende të zhvilluara si Gjermania po i konsiderojnë këto anije lundruese, që gjenerojnë energji si  një mjet të tejkalimit të problematikës emergjente po aq sa edhe një mënyrë të përshtatshme, që mundëson balancimin e mungesës së energjisë nga tërheqja e vullnetshme e Gjermanisë prej përdorimit të energjisë bërthamore. Gjermania po i shikon termocentralet lundrues si një alternativë të preferueshme, efikase në kohë, elastike lidhur me dislokimin gjeografik atje ku nevojiten më shumë dhe me rrezik mjedisor më të reduktuar”, thotë për DW, Arbër Avrami.

Impakti mjedisor brenda standarteve ndërkombëtare

Prodhimi i energjisë elektrike nga dy termocemtralet lundrues pas tre muajve është “konform legjislacionit vendas, standardeve ndërkombëtare të ruajtjes së mjedisit dhe ka marrë edhe çertifikatën përkatëse mjedisore”, sqaron për DW, Arbër Avrami. “Platformat do ta zhvillojnë veprimtarinë e tyre në një zonë që ka për destinacion përdorimin industrial. Ato janë brenda kompleksit industrial të Triportit në Vlorë, ku ndodhet edhe Termocentrali i Vlorës, zona e përpunimit të hidrokarbureve Petrolifera si dhe veprimtari të tjera me karakter të ngjashëm”, thekson ai.

Lidhur me lëndën djegëse që do përdorin termocentralet lundruese për prodhimin e emergjisë elektrike “do të jenë ato që përmbushin standardin botëror dhe përdoren në mjete lundruese dhe veprimtari industriale, me emetime gazrash sipas normave të lejuara vendase dhe ndërkombëtare për emetimet industriale”, thotë Arbër Avrami. “Teknologjia që do përdoret në këto impiante garanton që impakti mjedisor të qëndrojë konform manualeve ndërkombëtare të Bankës Botërore, marrëveshjeve ku Shqipëria bën pjesë, rregullave për lejet mjedisore në Republikën e Shqipërisë” thekson ai për DW./dw/

.

Të Ngjajshme

KATAR/ Shpërthen zjarri pranë stadiumit ku do të luhet Argjentinë-Meksikë

Policia serbe largon migrantët nga rreziku pas të shtënave në kufi me Hungarinë

7 kombinime ushqimesh që s’duhet t’i vendosni kurrë pranë njëri-tjetrit

Leave a Comment