September 25, 2022
Portali Shprehja

Shqipëri/ Pas sulmeve kibernetike, sistemi për regjistrimin e hyrje daljeve në pikat kufitare në Shqipëri është kthyer pjesërisht

Një ditë pas sulmit kibernetik nga Irani është rikthyer pjesërisht në funksion sistemi për regjistrimin e hyrje-daljeve në pikat kufitare në Shqipëri. Sistemi TIMS është rikthyer në aeroportin e Tiranës dhe në 5 pika të tjera kufitare. Ministri i Brendshëm i Shqipërisë Bledi Çuçi tha se pritet që problemi të zgjidhet në të gjitha pikat kufitare, shumë shpejt.

Sipas kryeministrit Edi Rama, nuk ka asnjë rrjedhje ose zhdukje të dhënash nga sistemi i Policisë së Shtetit.

“Sistemet e pikave kufitare janë në punë qysh prej mëngjesit të sotëm. Përtej ndjesisë së rëndë që krijon penetrimi në këto sisteme, njësoj si kur të hyjnë në shtëpi e të vjedhin, fakti është se agresioni nuk ia ka arritur asfare qëllimit, asnjë zhdukje a rrjedhje serioze të dhënash”, shkruan Rama në rrjetet sociale.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës reaguan ndaj sulmit të radhës kibernetik në Shqipëri. Këshilli i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, përmes një postimi në Twitter deklaron se po mbështet Shqipërinë në përpjekjen për të kthyer në normalitet sistemin.

“Shtetet e Bashkuara dënojnë sulmin kibernetik të 9 shtatorit kundër aleatit tonë të NATO-s, Shqipërisë. Ky aktivitet keqdashës kundër Shqipërisë vjen pas sulmit kibernetik të 15 korrikut të kryer nga qeveria e Iranit. Qeveria e SHBA po mbështet përpjekjet e Shqipërisë për të zbutur pasojat e sulmit dhe të rikuperojë sistemin”, thuhet në reagimin e SHBA-ve.

Më 15 korrik, Shqipëria u godit nga një sulm masiv kibernetik i cili ndërpreu për javë të tëra shërbimet e shumë faqeve qeveritare, mes të cilave dhe ato të shërbimit online për publikun. Shqipëria ndërpreu lidhjet diplomatike me Iranin më 7 shtator, duke thënë se hetimet kanë treguar se sulmet kibernetike të muajit korrik janë kryer nga Irani si “agresor shtetëror”. Irani hodhi poshtë akuzat se qëndron pas sulmeve kibernetike. Megjithatë NATO konfirmoi se prapa atij sulmi ka qenë Irani./Alsat.mk

.

Të Ngjajshme

Përmbytjet nga shiu kthejnë rrugët e Indisë në lumenjë

Forumi i Biznesit: Më pak barriera tregtare dhe doganore, më shumë bashkëpunim

Rritja e çmimeve të energjisë falimenton qindra kompani në Gjermani

Leave a Comment