September 25, 2022
Portali Shprehja

Shqipëria në listën e vendeve ku Rusia shpenzoi mbi 300 milionë dollarë për të ndikuar në zgjedhje

Duke cituar Komunitetin e Inteligjencës amerikane, CNN shkruan se një zyrtar i lartë i administratës Biden, ka thënë se që nga viti 2014, Rusia u ka transferuar fshehurazi mbi 300 milionë dollarë partive të huaja politike anembanë globit.

“Në rishikimin e saj, IC (komuniteti i inteligjencës) ka zbuluar se Rusia ka transferuar në mënyrë të fshehtë mbi 300 milionë dollarë dhe ka planifikuar të transferojë fshehurazi të paktën qindra milionë më shumë te partitë e huaja politike, zyrtarët dhe politikanët në dhjetëra vende dhe në katër kontinente në këtë periudhë”, është shprehur zyrtari për gazetarët.

Zyrtari amerikan shtoi se, “Rusia është e motivuar nga përpjekja për të përfituar parti specifike politike dhe për të minuar demokracinë në të gjitha këto vende”.

Ai bëri të ditur se ShBA-ja i ka ndarë këto zbulime si dhe hapat që mund të ndërmerren për t’iu kundërvënë këtij kërcënimi, me vendet e ftuara në Samitin për Demokraci që do të mbahet në dhjetor. Poashtu ai njoftoi se ShBA është duke i informuar në heshtje edhe vendet që janë ndikuar.

Më tej ai shtoi se, administrata Biden shpreson se do të ketë një sërë përfitimesh nga ndarja e këtij informacioni publikisht, duke përfshirë: rritjen e ndërgjegjësimit global për kërcënimin e financimit të fshehtë politik rus, nxitjen e vendeve të tjera që t’i japin ShBA-së informacione për operacionet e Rusisë dhe duke e bërë të qartë se ndikimi i fshehtë politik i Rusisë është një “dukuri globale që kërkon veprim të koordinuar”.

Sipas CNN, zyrtari ka thënë se fakti që ky informacion tani është publik, i është njoftuar edhe Rusisë dhe partive që ajo mbështetë.

“Duke hedhur këtë dritë mbi financimin e fshehtë politik rus dhe përpjekjet ruse për të minuar proceset demokratike, ne po i vëmë në dijeni këto parti dhe kandidatë të huaj se nëse pranojnë paratë ruse fshehurazi, ne mund dhe do t’i ekspozojmë ato,” tha zyrtari.

Për shkak të “ndikimit malinj” të Rusisë, në muajin korrik administrata Biden ka njoftuar sanksione ndaj saj.

Ky njoftim erdhi një ditë pasi programi Shpërblime për Drejtësi i Departamentit të Shtetit, njoftoi shpërblim deri në 10 milionë dollarë për informacion mbi Agjencinë e Kërkimeve në Internet (IRA), lideri i së cilës është Yevgeny Prigozhin – një aleat kryesor i presidentit rus Vladimir Putin.

Por, administrata Biden beson se është e rëndësishme të pranohet se ndërhyrja ruse nuk është vetëm një sfidë e veçantë për SHBA-në.

“Qëllimi i kësaj fushate ekspozimi është të shikojmë përtej Shteteve të Bashkuara pa mohuar se ky është një shqetësim dhe një cenueshmëri që kemi këtu. Por ne donim të përdornim fushatën e ekspozimit për të vendosur kontekstin tonë në kuadrin më të gjerë të sfidës së ndikimit të fshehtë politik rus, i cili është në natyrë globale, siç e bën kaq të qartë analiza e IC, “tha zyrtari.

“Ne e kemi të qartë se është në vazhdim, është e përhapur, është globale,” ka shtuar ai më tej.

Ndërkohë, bëhet e ditur se Sekretari i Shtetit Antony Blinken, u ka dërguar të hënën një kabllogram ambasadave në mbarë botën, ku detajohen gjetjet e këtij rishikimi nga komuniteti i inteligjencës.

Ndërhyrja globale e Rusisë është dokumentuar në disa raste, duke përfshirë Bosnjën, Malin e Zi dhe Shqipërinë. Ndërsa, në kabllogramin e Blinken thuhej se rishikimi i komunitetit të inteligjencës amerikane përfshinte ndërhyrjen ruse në më shumë se 20 vende.

“Për Rusinë, përfitimet e ‘financimit të fshehtë politik’ janë të dyfishta: zhvillimi i ndikimit mbi individët dhe partitë përfituese, dhe për të rritur gjasat që ato parti të performojnë mirë në zgjedhje. Marrëdhëniet e fshehura midis këtyre partive dhe dashamirësve të tyre rusë minojnë integritetin dhe besimin e publikut në institucionet demokratike”, thuhet në kabllogramin e dërguar nga Blinken.

Të Ngjajshme

Turqia “godet” Rusinë: S’i njohim referendumet në Ukrainë!

admin

Abazoviq: Kurrë nuk ka qenë më i mirë se sot bashkëpunimi me Serbinë dhe Vuçiqin

admin

​Rama: Serbia ta njohë dhe t’i kërkojë falje Kosovës

admin

Leave a Comment