Një epidemi vdekjeprurëse, e përhapur nga Deti i Kuq, ka vrarë një specie të tërë të iriqit të detit në Gjirin e Akaba, duke rrezikuar shkëmbinjtë koralorë të zonës, sipas një ekipi hulumtues izraelit.
E gjithë popullata e iriqëve të detit të zi, një specie e njohur për të mbajtur të shëndetshëm shkëmbinjtë koralorë në ujërat e njohur gjithashtu si Gjiri i Eilat, u zhduk brenda dy muajsh, sipas një ekipi në Universitetin e Tel Avivit.
Gjetjet e studiuesve, të publikuara në dy revista të rishikuara nga kolegët, citojnë vdekshmërinë masive në vende të tjera të rajonit, duke përfshirë Jordaninë, Egjiptin dhe Arabinë Saudite.
Fajtori i mundshëm është një parazit që shkakton një sëmundje që sjell një vdekje të shpejtë, ndoshta e njëjta që shkatërroi popullatat e iriqëve të detit në Karaibe.
Brenda vetëm dy ditësh, një Diadema setosum i shëndetshëm, një iriq deti i zi me gjemba të gjata, kthehet në një skelet, kjo tregon humbje masive të indeve, thotë studiuesi kryesor Omri Bronstein i Muzeut të Historisë Natyrore Steinhardt dhe Shkollës së Zoologjisë të Universitetit të Tel Avivit.
Disa dalin të vdekur në breg. Të tjerët i hanë peshqit, duke përshpejtuar kështu transmetimin e sëmundjes.
Shenjat e para të një problemi u shfaqën në Mesdhe, ku këta iriq deti qëndronin aty prej vitesh, ndoshta kanë ardhur nëpërmjet kanalit të Suezit. Bronstein tha muaj më parë se kishte raporte për vdekje të iriqit të detit në Greqi dhe Turqi.
Në fillim situata nuk ishte alarmante, pasi ishte një specie e ardhur në zonë, por tani patogjeni është rikthyer përsëri në popullatën natyrore të këtyre iriqëve në Detin e Kuq. “Për momentin nuk ka asgjë që mund të bëhet për ta ndaluar këtë”, thotë Bronstein.
Por ka një mundësi shumë të vogël për t’i shpëtuar. Nëse krijojmë një popullatë të izoluar të iriqëve të mbetur të detit në një vend tjetër, me shpresën se ata do të kthehen sërish më vonë, shtoi ai.
Studiuesit thonë se një raport u është dorëzuar autoriteteve mjedisore izraelite dhe se masat emergjente janë duke u konsideruar për të mbrojtur shkëmbinjtë koralorë.
Iriqët e detit luajnë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e ekuilibrit të shkëmbinjve koralorë duke u ushqyer me alg, në këtë mënyrë ata lejojnë rrezet e diellit të hyjnë nën ujë.
“Koralet nuk kanë shpresë për të konkurruar me algat. Prandaj na duhen iriqët e detit. Pa ato bota nënujore do të shkatarrohet. Dhe kjo nuk është një fantazi, nëse ky fenomen vazhdon të rritet, një rrezik më i madh i kanoset botës nënujore”, thotë Bronstein.
.