September 24, 2022
Portali Shprehja

Taravari, ushtrues detyre kryetar i ASH-së

Gazetare: Fatlume Dervishi

Aleanca për Shqiptarët zgjodhi Arben Taravarin në funksionin e ushtruesit të detyrës kryetar. Në kongres të jashtëzakonshëm më 17 dhjetor, kjo parti do të zgjedhë kryetarin e ardhshëm të saj. Vendimet në partinë opozitare u morën nga Kuvendi qendror i cili fillimisht konstatoi dorëheqjen e kreut të deritanishëm Ziadin Sela, si akt moral pas rezultatit zgjedhor në Komunën e Tetovës.

“Me rëndësi të jashtëzakonshme për ne është që nga ky Kuvend dhe pas këtij debati të gjatë dolëm të bashkuar dhe të unifikuar. Të gjithë deputetët dhe kryetarët e komunave së bashku me liderin e Aleancës për Shqiptarët vazhdojnë më tutje dhe shpresojmë që të vazhdojmë të jemi shpresa e shqiptarëve për ta bërë ndryshimin. Mendoj se duhet të tregojmë se Aleanca për Shqiptarët është duke vendosur disa standard në politikbërjen shqiptare dhe mendoj ta ndjekim si anëtarë të kësaj partie por edhe partitë politike shqiptare, por edhe maqedonase, pse jo”,deklaroi Arben Taravari, ushtrues detyre kryetar i Aleancës për Shqiptarët

Taravari thotë se nuk e ka vendosur nëse do të kandidojë për pozitën e kryetarit në kongres.

“Jo. Nuk e kam thënë ende se do të kandidoj. Për këtë periudhë unë do të jem ushtrues detyre deri në mbajtjen e kongresit. Mendoj se ka kohë për shpalljen e kandidaturave deri dy javë para mbajtjes së kongresit, sipas statutit. Do të shohim, do ta analizojmë, do t’i shohim rrethanat dhe do t’i sjellim vendimet ashtu si mendojmë se është më mirë për organizimin tonë politik”, tha Arben Taravari, ushtrues detyre kryetar i Aleancës për Shqiptarët .

Në periudhën e ardhshme, ai thotë se do të jenë aktiv në terren për të takuar qytetarët dhe për të kthyer mbështetësit që kishin abstenuar. Në krah të tij thotë se do të jetë edhe Sela, i cili konfirmoi se nuk tërhiqet nga politika dhe as nga partia.

“Do të ishte mosmirënjohje nga ana ime, unë të tërhiqem nga politika, duke pasur parasysh se kam mbështetës të cilët qëndrojnë edhe pas meje edhe pas partisë. Unë do të jem brenda në politikë, aktiv në politikë dhe do të jem aty ku struktura e Aleancës për Shqiptarët do ta kërkojë, aty ku kryetari i ri do të kërkojë që të jem”, u shpreh  Ziadin Sela, ish kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Gjatë ditëve të ardhshme, partia duhet të vendosë edhe për emërimin e koordinatorit të grupit parlamentar, pasi deputetja Ilire Dauti, u tërhoq nga detyra e koordinatorit ditë më parë./alsat.mk

.

Të Ngjajshme

Ndërprerjet e mëdha të internetit në Iran janë një shkak serioz për shqetësim

Qytetarët furnizohen me pajisje altenative të energjisë

A janë më të pasurit në botë zviceranët

Leave a Comment