December 1, 2020
Portali Shprehja

Thaçi e nderon Trumpin me urdhrin më të lartë shtetëror

Presidenti i Kosovës, Thaçi ka ndarë urdhrin më të lartë shtetëror – Urdhrin e Lirisë – për presidentin e SHBA-ve, Donald Trump, “në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij për lirinë e Kosovës, forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon”

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka ndarë urdhrin më të lartë shtetëror – Urdhrin e Lirisë – për presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, “në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij për lirinë e Kosovës, forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon”.

Siç bën të ditur komunikata nga Zyra e Presidentit, i pari i shtetit, në letrën drejtuar presidentit Trump ka deklaruar se marrëveshja për normalizimin ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk do të ishte e mundur pa udhëheqjen e fuqishme të tij dhe të SHBA-së.

“Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të thellë për kontributin tuaj personal në arritjen e marrëveshjes për normalizimin ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kjo marrëveshje është përparim i rëndësisë së jashtëzakonshme për përmbylljen e konfliktit shekullor mes popujve tanë. Pas dekadash bllokade dhe stagnimi në negociata, falë udhëheqjes tuaj të guximshme e arritëm këtë marrëveshje historike”, shkruan në letrën e Thaçit dërguar presidentit Trump.

Presidenti kosovar e ka siguruar homologun e tij amerikan se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj paqes së qëndrueshme dhe prosperitetit afatgjatë në Ballkanin Perëndimor. Po kështu ai tha se “jemi të palëkundur në përkushtimin tonë për arritjen e një marrëveshjeje që zgjidhë të gjitha çështjet e hapura dhe sjell njohjen e ndërsjellët në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

Thaçi tha se një marrëveshje e tillë mund të arrihet vetëm nën udhëheqjen e fuqishme të SHBA-së në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, ngase sipas tij, roli i SHBA-së është jetik.

“Z. President, kam privilegjin, si President i Republikës së Kosovës, që në shenjë mirënjohjeje për kontributin tuaj personal për lirinë e Kosovës, në arritjen e paqes, pajtimit dhe prosperitetit ekonomik, të ndaj për ju Urdhrin e Lirisë”, shkruan në letrën e Thaçit për presidentin Trump.

Duke folur për Marrëveshjen e Washingtonit të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë midis Kosovës dhe Serbisë, tutje Thaçi ka thënë se ajo nuk do të ishte e mundur të arrihej edhe pa ndihmën e këshilltarit për siguri të Trump, Robert O’Brein dhe emisarit special Richard Grenell, të cilëve po kështu u ka ndarë Medalje Presidenciale të Meritave, “për meritat e tyre të veçanta në arritjen e marrëveshjes historike mes Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në Washington”.

Në fund presidenti Thaçi e ka ftuar presidentin Trump që ta vizitojë Kosovën. Një vizitë e mundshme e presidentit Trump në Kosovë, Serbi dhe rajon është paralajmëruar edhe nga Richard Grenell, megjithëse ka shtuar se “ende nuk është vendosur ndonjë datë për këtë vizitë”.(INA)

Të Ngjajshme

Pas kritikave të shumta, Prizreni vendos që ta largojë shtatoren e Adem Jasharit

admin

Merkel: Nuk mund ta premtoj çeljen e negociatave me Shqipërinë

admin

Von Cramon: Nuk mjafton të bisedohet, duhet datë për vizat e kosovarëve

admin

Leave a Comment