October 6, 2022
Portali Shprehja

Tiranë: Në ambasadën iraniane digjen dokumenta para largimit

Personeli i Ambasadës së Iranit ka djegur materialet shkresore para largimit nga Shqipëria, e cila zyrtarisht ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin pas provave për sulm kibernetik të mbështetur nga ky vend.

Në orët e vona të mbrëmjes të së mërkurës, (07.09) brenda selisë së Ambasadës së Iranit në Tiranë, e ndodhur në një nga rrugët kryesore të kryeqytetit, pranë Radio -Tiranës, pati flakë, tym dhe prani të punonjësve të policisë. Zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Genti Mullaj, i tha korrespondentes së Deutsche Welles në Tiranë se „nuk ka asnjë problem. Personeli i Ambasadës së Iranit po djeg materialet shkresore”. Në mesditën e sotme, (08.09) skadon afati i zbatimit të vendimit të qeverisë së Tiranës të publikuar në mesditën e të mërkurës për “ndërprerjen me efekt të menjëhershme të marrëdhënieve diplomatike me Iranin dhe largimin brenda 24 orëve nga territori i Republikës i të gjithë personelit diplomatik, tekniko administrativ, përfshirë edhe atë të sigurisë”.

Në orët e vona afër mesnatës së djeshme në derën e jashtme të ambasadës së Iranit qëndronte vetën një punonjës i policisë së shtetit. Vendimi i qeverisë së Tiranës erdhi pas akuzave të saj se Irani është autor i sulmit masiv kibernetik, që goditi më 15 korrik sistemet e teknologjisë së informacionit dhe paralizoi për disa ditë të gjithë shërbimet publike online.

Reagimi zyrtar i Iranit: Pretendime të pabazuara të qeverisë së Tiranës

Reagimi zyrtar i Iranit ka ardhur në pasditen e vonë të së mërkurës. Një punonjës i ambasadës së Iranit tha për DW, menjëherë pas publikimit të vendimit të qeverise Rama, se “tani për tani nuk ka asnjë reagim nga Irani”. Më pas në reagimin e tij Irani hodhi poshtë pretendimet e kryeministrit Rama si “të pabazuara dhe anti-iraniane”. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Nasser Kanaani citohet të ketë thënë në deklaratën e tij se ” vendimi i Shqipërisë për të ndërprerë marrëdhëniet politike me Iranin bazohet në pretendime pabaza dhe është një veprim i pamenduar në marrëdhëniet ndërkombëtare”. “Si një nga vendet që ka qenë objekt i sulmeve kibernetike në infrastrukturën e saj kritike, Republika Islamike e Iranit kundërshton dhe dënon çdo përdorim të hapësirës kibernetike si mjet për të sulmuar infrastrukturën e vendeve të tjera”, citohet të këtë thënë Nasser Kanaani.

Deklarata zyrtare e Republikës Islamike të Iranit konsideron “vendimin e gabuar të Tiranës zyrtare të ndikuar nga palë të treta që mbështesin terrorizmin. Reagimi i menjëhershëm i Izraelit dhe SHBA dëshmojnë për një fushatë të re kundër Iranit,” theksohet në deklarayën e zëdhënësit Nasser Kanaani. Kryeministri Rama deklaroi të mërkurën që „vendimi i qeverisë së tij për të ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin është në proporcion me seriozitetin dhe rrezikun që sjell sulmi kibernetik”.

Reagimi i SHBA

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, e vlerësoi të mërkurën të rëndësishëm vendimin e qeverisë së Tiranës për shkëputjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën Islamike të Irani”, kjo pas ”provave të pakundërshtueshme” që sulme kibernetike në korrik të këtij viti u shkaktuan nga Irani. “Shtëpia e Bardhë është përgjigjur menjëherë dhe me forcë. Duhet të jetë absolutisht e qartë që kur miku dhe aleati ynë Shqipëria është nën sulm SHBA do të ndërmarrë veprime,” deklaroi ajo pas një takimi të zhvilluar të mërkurën me kryetaren e Parlamentit Lindita Nikolla dhe anëtarë të kryesisë së tij.

Në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë autoritetet e SHBA citohen të kenë dënuar ”fuqishëm sulmin kibernetik të Iranit ndaj Shqipërisë, vendit aleat, anëtar të NATO-s”.

“Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin veprime të mëtejshme për ta mbajtur Iranin përgjegjës për veprimet që kërcënojnë sigurinë e një aleati të SHBA dhe që krijojnë një precedent shqetësues për hapësirën kibernetike. Kemi arritur në përfundimin se Qeveria e Iranit kreu këtë sulm kibernetik të pamatur dhe të papërgjegjshëm dhe se ajo është përgjegjëse për operacionet e mëvonshme të hakerave. Autoritetet e SHBA ftojnë partnerët dhe aleatët të bashkohen me SHBA për të mbajtur përgjegjës aktorët kibernetikë keqdashës dhe për të ndërtuar një të ardhme dixhitale të sigurtë,” theksohet në reagim.

“Aktiviteti keqdashës kibernetik nga një shtet që dëmton qëllimisht infrastrukturën kritike ose në ndonjë mënyrë tjetër dëmton përdorimin dhe funksionimin e saj për të ofruar shërbime për publikun, mund të ketë efekte kaskaduese vendase, rajonale dhe globale dhe paraqet rrezik të lartë të dëmtimit të popullatës që mund të çojë në përshkallëzim dhe konflik”, thekson deklarata e autoriteteve të SHBA.

Mbretëria e Bashkuar dënon shtetin iranian

Në reagimin e ambasadës në Tiranë të Mbretërisë së Bashkuar në faqen e saj zyrtare të Facebook theksohet „dënimi i shtetit iranian për sulmin kibernetik kundër qeverisë së Shqipërisë që shkatërroi të dhënat dhe ndërpreu shërbimet thelbësore të qeverisë, duke përfshirë pagesën e shërbimeve publike, rezervimin e takimeve mjekësore dhe regjistrimin e nxënësve”.

„Qendra Kombëtare e Sigurisë Kibernetike (National Cyber Security Center) vlerëson se aktorët kibernetikë të lidhur me shtetin iranian janë pothuajse me siguri përgjegjës për serinë e sulmeve kibernetike kundër infrastrukturës së qeverisë shqiptare nga 15 korriku, të cilat shkaktuan ndikim të rëndësishëm në shërbimet publike online dhe faqet e tjera të internetit të qeverisë”, theksohet në reagimin e ambasadës britanike në Tiranë.

Të Ngjajshme

Konjufca përfundon në spital, pas lëndimit në këmbë

admin

Borrell: Në Pragë po krijojmë një rend të ri pa Rusinë

admin

Ndërtimtaria në Gjermani paralizohet pa punëtorët e Ballkanit

admin

Leave a Comment