November 28, 2022
Portali Shprehja

Tupançevski: Personat që shkelën masat anti-kovid do të amnistohen

Gazetar: Mefail Ismaili

Ministria e Drejtësisë do të amnistojë të gjithë ata persona që kanë shkelur masat antikovid. Bëhet fjalë për ata që nuk kanë paguar gjobat për mosrespektimin e izolimit dhe orën policore të cilat arrinin deri në 2 000 euro. Kështu ka deklaruar ministri i Drejtësisë Nikolla Tupançevski në emisionin 360 gradë, që do të transmetohet sonte në Alsat. Tupançevski ka deklaruar se e ka pranuar këtë ide të gjyqësorit, me qëllim që personat që nuk kanë paguar gjobat, të mos mbajnë dënim me burg.

“Unë e pranova idenë e Gjykatës themelore penale në Shkup, sepse me të vërtetë u pa si ide që mund të ndihmojë, nëse dëshironi, mund ta shohim edhe në aspektin se nuk bëhet fjalë për njerëz të veprave penale të cilët përmes anamnezës së tyre personale paraqesin kriminelë në kuptimin e vërtetë të fjalës. Ata janë persona të cilët i kanë shkelur Covid Masat dhe Kodi jonë penal parashikon dënim me të holla… Janë mbi 1000, 1000 – 1200 njerëz, të cilët praktikisht nëse nuk e paguajnë gjobën me para duhet që për një kohë të shkurtër gjoba me të holla t’u shndërrohet në dënim me burg”, u shpreh Nikolla Tupançevski, Ministër i Drejtësisë.

Ministri Tupançevski deklaroi se propozim ligji për amnisti është i gatshëm dhe duhet të kalojë sa më shpejt procedurat parlamentare, sepse nëse vonohet, atëherë rreth 1 000 persona mund të përfundojnë në burgjet të cilat tash më janë të tepër të ngarkuara. Por i pyetur se si do të veprojë ministria ose Qeveria me ata persona që i kanë paguar gjobat, ministri Tupançevski deklaroi se nuk e kanë menduar këtë aspekt.

“Praktikisht amnistia u dedikohet njerëzve të cilëve do u transformohet dënimi me para në dënim me burg. Këto persona që më e kanë paguar, që u është shqiptuar, mendoj se është çështje që mund të mendohet, por në mënyrë definitive fokusi është tek ata persona që dënimi me para do u transformohet në dënim me burg”, tha Nikolla Tupançevski, Ministër i Drejtësisë.

Statistikat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të dërguara për Alsat, flasin se gjatë periudhës së pandemisë kur kishte një sërë kufizimesh për qarkullim dhe orë policore, policia ka shqiptuar gjithsej 707 dënime për mosrespektim të masës për izolim dhe vetë izolim.

Për personat e vendosur në karantinë shtetërore, policia ka ngritur padi penale për 32 persona, për mosrespektim të masës ndalim për qarkullim padi penale është ngritur për 115 persona.

Për mosrespektim të mbajtjes së maskës, policia ka shqiptuar 204 632 gjoba për persona fizik dhe 329 për persona juridik.

Po ashtu nga MPB njoftojnë se gjatë periudhës së pandemisë kanë hasur në gjashtë raste të mosrespektimit të ndalesës për grumbullime. Për këtë vepër janë shqiptuar 87 gjoba për grumbullim të më shumë njerëzve në një hapësirë.

707 vepra penale për mosrespektim të masës për IZOLIM DHE VETË IZOLIM
32 padi penale për SHKELJEN E KARANTINËS SHTETËRORE
115 padi penale për mosrespektim të masës për NDALIM PËR QARKULLIM
204 632 gjoba për persona fizik dhe 329 për persona juridik PËR MASËN MOS MBAJTJE E MASKËS
87 persona janë gjobitur për GRUPIME

Alsat.mk

.

Të Ngjajshme

Shumë zanate janë drejt zhdukjes

Opozita maqedonase insiston për zgjedhje të parakohshme parlamentare

Kujdes! Edhe tetë gota ujë në ditë janë ende shumë sipas shkencës!

Leave a Comment