July 27, 2021
Portali Shprehja

Urimet e krerëve politik në vend për Kurban Bajramin

Krerët politik në Maqedoninë e Veriut kanë uruar besimtarëve mysliman në vend festën e Kurban Bajramit. Mesazhi i përgjithshëm i tyre në këtë ditë festive është që të mbizotërojë solidariteti, toleranca, mirëkuptimi i ndërsjellë, bashkëjetesa dhe mirësia te të gjithë, me shpresë që kriza me Kovid-19 të kalojë sa më shpejtë.

Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski me rastin e festës së Kurban Bajramit ka uruar që besimtarët myslimanë festën ta kalojnë në shëndet të mirë, të mbushur përplot me dashuri, lumturi dhe harmoni.

“Edhe sivjet Kurban Bajrami, në pajtueshmëri me traditën, le të jetë në frymën e ndihmesës dhe dhënies, shpërndarjes dhe kujdesit. Të jemi të hapur dhe solidarë ndaj të gjithëve të cilëve u nevojitet ndihmë dhe mbështetje jo vetëm nnë ditët festive, por edhe gjatë gjithë vitit. Në kohë kur i gjithë njerëzimi ende ballafaqohet me pandeminë me Kovid-19 dhe me pasojat e saj shkatërruese, nevojitet që t’i tejkalojmë të gjithë mosmarrëveshjet dhe të bashkuar të punojmë për të mirën e çdo qytetari tonë. Besoj se Bashkësia Fetare Islame dhe të gjithë besimtarët e saj, edhe më tej me përkushtim do të kontribuojnë për luftë të përbashkët me të gjithë sfidat të cilat pengojnë rrugën e prosperitetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në urimin e presidentit Pendarovski.

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka uruar besimtarët që këto ditë të shenjta t’i kalojnë në frymën e durimit, bujarisë dhe uroj t’u udhëheq dëshira për respekt të ndërsjellë, mirëkuptim dhe solidaritet.
“Madhështia e festës së Kurban Bajramit na rikujton në thelbin e ekzistencës njerëzore, gjënë më të vlefshme për ne, për kujdesin e shëndetit dhe ruajtjes së jetës dhe kujdesin për më të afërmit. Le të jetë festa edhe nxitje në periudhën që vijon, të vaksinohemi në mënyrë masive, si mjet më efikas në luftën kundër pandemisë me COVID-19 dhe në këtë mënyrë bashkërisht të arrijmë që më  shpejt dhe pa dhimbje të mbrohemi dhe t’i tejkalojmë pasojat e saj. Festa e sakrificës na tregon për vlerat që janë universale, na dërgon mesazhe fisnike që kërkojnë respekt dhe kujdes për shoqërinë tonë në mënyrë të barabartë për të gjithë, për shoqërinë në të cilën diversiteti kulturor, etnik dhe fetar është një thesar dhe një vlerë unike e paçmuar. Në frymën e traditës shekullore të bashkëjetesës dhe mirëkuptimit në vendin tonë, më lejoni  t’ju uroj të kaloni ditët festive me shëndet të mirë dhe forcë shpirtërore!”, thekson Zaev në urimin për festën e Kurban Bajramit.

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi uron që besimtarët festën ta kalojnë me shëndet të mirë, në çaste hareje dhe gëzimi familjar, paqe shpirtërore dhe mirëqenie për të gjithë.

“Kjo festë, si edhe gjithë festat në përgjithësi, janë ditë të cilat krijojnë një ndjenjë ndryshe te njerëzit, nxisin buzëqeshje të sinqerta dhe gëzim dhe ngrohtësi në zemër. Mblidhen anëtarët e familjeve, të shpërndarë anembanë botës, ndahen lajmet e mira, por edhe ato pikëlluese. Janë raste ku i kujtojmë ato që nuk janë më në mjedisin tonë fizikisht, por për të cilët kujtimin e ruajmë përjetësisht. Jeta është një mrekulli në vete, por di edhe të godasë fortë. Pra, pikërisht atëherë del në sipërfaqe madhështia dhe forca e bashkimit dhe bashkëveprimit të njerëzve kudo që të jenë. Jemi dëshmitarë të humbjeve të pazëvendësueshme nga KOVID-19 dy vitet e fundit, por edhe të fatkeqësive natyrore të shumta, fatkeqësi që shkaktojnë humbje njerëzore dhe materiale. Le të jetë festa e Kurban Bajramit, me gjithë simbolikën që e bart në vete, vetëm edhe një rikujtues për të gjithë ne, të çmojmë jetën, të çmojmë dhe respektojmë njëri tjetrin, çdo çast, çdo ditë, në çdo vend. Të shtrijmë dorën e mbështetjes edhe ndaj të afërmit, edhe ndaj të largëtit, ndaj fqinjit apo familjes, ndaj të njohurit apo të panjohurit, pa dallime. Para së gjithash, dhe mbi të gjitha, jemi njerëz që kanë nevojat dhe dëshirat e njëjta, të drejtat dhe obligimet e njëjta”, thuhet në urimin e Xhaferit.

.

Të Ngjajshme

Në “Tabanoc”, për hyrje në vend pritet rreth 30 minuta

admin

Shkupjani arrestohet në Strugë, kapet me drogë

admin

Rezoluta e VMRO-së për negociatat me Bullgarinë do të miratohet me emrin e ri kushtetues

admin

Leave a Comment