May 12, 2021
Portali Shprehja

“Veritas”, akuza të reja për punën e UT-së

Revista “Veritas” me akuza të reja për parregullsi në Universitetin e Tetovës. Përmes një publikimi të ri, “Veritas” pretendon se nga 14 punime të verifikuara, 12 kanë rezultuar plagjiaturë dhe se profesorët, Nexhbedin Beadini dhe Sheqibe Beadini pa procedurë konkurrimi janë transferuar nga Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore në Fakultetin e Mjekësisë. Plasohen dyshime se ish rektori Beadini, për disa muaj u bë nga docent në profesor inordinar e më pas edhe profesor ordinar dhe ndihmoi edhe rektorin aktual Vullnet Ameti të avancohet në të njëjtën mënyrë.

 “Veritas”
“Në CV e rektorit aktual shihet se ai ka doktoruar në vitin 2008. Sipas ligjit të Maqedonisë së Veriut, kalimi në nivel akademik bëhet çdo 5 vjet, që do të thotë se ai ligjërisht në pozitën e rektorit ka mundur të ulet në vitin 2018. Si e arriti këtë pozitë në vitin 2012?! Çelësi është miku i Nexhbedin plagjiatorit, Prof. Shezai Rrokaj dhe vendimi i lëshuar në Tiranë për titullin profesor për Vullnet Ametin!”

“Veritas” akuzoi dekanin e Fakultetit të Mjekësisë, Nevzat Elezi se po e mbron skandalin si dhe inspektorin e Arsimit, Afrim Saliu se mbron krimin akademik. Saliu përgënjeshtroi akuzat duke thënë se ndaj UT-së janë shqiptuar rreth 40 vendime e madje edhe procese gjyqësore.

Sa i përket pjesës së parë, që kinse unë qenkam një kriminel në këtë institucion në të cilin punoj gati 15 vjet, këtë kategorikisht e demantoj, posaçërisht kur ka të bëjë me Universitetin Shtetëror të Tetovës. Ne si institucion dhe unë personalisht si kryeinspektor kemi qenë aktiv për t’i përmirësuar dhe korrigjuar momentet e caktuara që i kemi hasur- deklaroi Afrim Saliu, Inspektorati për Arsim.

Alsat kontaktoi UT-në për koment ndaj akuzave nga rektori Vullnet Ameti. Nga atje na thanë se sot kanë punë më të rëndësishme dhe se ndoshta do të përgjigjen në një moment tjetër. Kërkuam qëndrim edhe nga profesori Nevzat Elezi, i cili mohoi akuzat.

Nevzat Elezi nuk mund të kushtëzohet dhe ata që ma njohin karakterin e dinë që tek unë kushtëzim nuk ka, vetëm zbatim të së drejtës. Zgjedhjen time për dekan do ta vlerësojnë studentët dhe pedagogët. Do ta mbroj institucionin ku jam- pohoi Nevzat Elezi, Dekan i Fakultetit të Mjekësisë

Ndërsa profesori Nexhbedin Beadini na tha se mbetet i të njëjtit qëndrim, sikurse edhe në emisionin 200.

-Akuzat e ngritura kundër Jush i pranoni?
“Absolutisht jo, sepse nuk ka drejtësi selektive. Nëse do t’i futemi kësaj pune, do t’i futemi në përgjithësi për të parë se cila është e vërteta.”- u pòrgjigj Nexhbedin Beadini, profesor.

Revista “Veritas” nuk ka autorë kurse personi i përmendur si përgjegjës ka rezultuar i panjohur gjatë kërkimeve tona. Adresat e kontaktit të saj, po ashtu janë jofunksionale.

Anesa Salihu

.

Të Ngjajshme

Strugë-Qafëthanë, Nikollovski pa përgjigje për rindërtimin e rrugës

admin

Komitet për bashkëpunim ekonomik mes RMV-së dhe Greqisë

admin

Qytetarët: Veprimi i Artan Grubit, për pikë politike!

admin

Leave a Comment