110-Vjetori i Pavarësisë i bëri bashkë në Vlorë, krerët më të lartë të shtetit të Shqipërisë dhe Kosovës. Presidenti Bajram Begaj në fjalën e tij theksoi se kjo ditë është kujtesë për përgjegjësinë e klasës politike, ndaj kombit dhe qytetarëve.
Krerët më të lartë të shtetit shqiptar dhe Kosovës, u bënë bashkë në Vlorë në ceremoninë e ngritjes së flamurit, aty ku 110 vite më parë, Ismail Qemali e shpalli Shqipërinë, shtet sovran dhe të pavarur.
Presidenti Bajram Begaj, Kryeministri Edi Rama, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kryeparlamentarët, Lindita Nikolla e Glauk Konjufca, zhvilluan homazhe dhe vendosën kurora me lule në monumentin e pavarësisë.
Pas ceremonisë, Presidenti Bajram Begaj mbajti një fjalë përshëndetëse me mesazhin se dita e flamurit vjen si një kujtesë, për përgjegjësinë e gjithë klasës politike, ndaj vendit dhe qytetarëve.
Kreu i shtetit theksoi edhe rëndësinë që Shqipëria të kontribuojë në fuqizimin e shtetit të Kosovës.
Në Ditën e Flamurit, Vlora u kthye në kryeqytetin e festimeve ndërsa një ditë më parë, në vigjilje të 110-Vjetorit të Pavarësisë, Kuvendi i Kosovës dhe Kuvendi i Shqipërisë, zhvilluan mbledhjen e parë të përbashkët.